Qeveria i anulon lejen e qëndrimit gazetares britanike

Qeveria i anulon lejen e qëndrimit gazetares britanike

Qeveria shqiptare nuk i ka miratuar lejen e qëndrimit gazetares britanike Alice Elizabeth Taylor.

Qeveria shqiptare, pasi më sulmoi mua dhe partnerin tim për shkak të punës si gazetare dhe të kritikave të mia ndaj tyre, tani më kanë anuluar rinovimin e lejes së qëndrimit.

Kështu tani jam në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe më kërkojnë të largohem, pavarësisht se kam një certifikatë mjekësore, sipas së cilës nuk mund të udhëtoj për shkak të ndërlikimeve që mund të kem, pasi jam pothuajse 6-muajshe shtatzënë. Me një fëmijë shqiptar.”, shkruan Taylor në Twitter.

Taylor, e cila ka blogun “The Balkanista” dhe shkruan rregullisht për Exit.al dhe për median e Maltës “The Shift”, prej një viti ka vendosur të jetojë në Shqipëri. Deri para dy javësh, para se leja e qëndrimit të skadonte, Taylor mund të punonte dhe të jetonte brenda ligjit në Shqipëri. Pas skadimit të lejes, njësoj si herën e parë, Taylor u paraqit tek Drejtoria e Migracionit me dokumentat e nevojshme dhe me faturën e pagesës së kërkuar. Punonjësit e Drejtorisë së Migracionit, pasi i kontrolluan dokumentat i thanë se gjithçka është në rregull dhe për dy javë duhet të paraqitej për të marrë lejen e re të qëndrimit.

Por sot, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kur partneri i saj është paraqitur për të marrë lejen e qëndrimit, punonjësi i ka thënë se me urdhër nga lart leja është refuzuar. Madje ata nuk kanë pranuar t’i japin përgjigje me shkrim për anulimin e lejes së qëndrimit apo për arsyet e këtij vendimi. Punonjësit e kanë këshilluar të udhëtojë jashtë vendit, të hyjë sërish në Shqipëri dhe të aplikojë nga fillimi. Madje, edhe pasi Taylor i ka sqaruar se e ka të ndaluar nga mjeku të udhëtojë, sepse është 6-muajshe shtatzënë dhe në një shtatzani me rrezik të lartë, policët e emigracionit nuk i kanë dhënë asnjë mundësi tjetër.

Taylor deri para një muaji  ishte  “blogerja e famshme angleze”, që e donte Shqipërinë dhe punonte për të promovuar bukuritë dhe njerëzit e saj në botë. Por gjithçka ndryshoi kur ajo dha një koment për televizionin rus RT International, ku gazetarja Taylor komentonte situatën në Shqipëri, protestat, korrupsionin dhe abuzimin e qeverisë.

Pas kësaj, të gjitha media e lidhura me Kryeministrin Edi Rama—javanews.al, gazetatema.net, alpenews.al, pa asnjë provë dhe me një standard jo të denjë për gazetarinë e quajtën gazetaren Taylor agjente ruse, duke nënkuptuar se ajo punon kundër interesave të Shqipërisë.

Veprimet e policisë së emigracionit me gazetaren britanike Taylor duken se janë një sulm i drejtpërdrejt ndaj gazetarëve kritikë me qeverinë dhe ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>