Qeveria ka vendosur t’i japë Akademisë së Shkencave një fond shtesë prej 100 milionë lekësh (të reja) për vitin 2021.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ky fond shtesë jepet “për financimin e hartimit e botimit të tri veprave madhore albanologjike dhe enciklopedike”.
Këto tri vepra përfshijnë: Enciklopedia shqiptare; Fjalori i madh i shqipes; Historia e shqiptarëve.
Për të tre projektet e sipërpërmendura, Akademia e Shkencave mori nga Kuvendi një shtesë prej 20 milionë lekësh në buxhet pas kërkesës së saj në nëntor të vitit 2020.
Në vitin 2020, qeveria akordoi një fond shtesë për Akademinë e Shkencave prej 4.6 milionë lekësh për studime të situatës së pandemisë. Rezultatet e studimit në fjalë tregoi se gjysma e popullsisë së Tiranës ka zhvilluar anti-trupa ndaj COVID-19.
Mbështetja e Akademisë së Shkencave me fonde nga qeveria vjen tre vite pasi kryeministri Rama kërcënoi se nuk do të marrin asnjë qindarkë nëse nuk reformohen.
Në vitin 2019, në krye të Akademisë së Shkencave u zgjodh Skënder Gjinushi, një vendim që u kundërshtua nga Presidenti Meta. Exit.al ka shpjeguar më parë, zgjedhja në krye të Akademisë së Shkencave të një personi me post politik është shkelje e nenit 6 të Ligjit për Akademinë e Shkencave.