Qeveria i jep mbrojtje për një vit afganëve, krijohet grupi me 7 ministra për menaxhimin e tyre

Nga Exit News
Qeveria i jep mbrojtje për një vit afganëve, krijohet grupi me 7 ministra për menaxhimin e tyre

Qeveria ka vendosur t’i japë mbrojtje të përkohshme për një vit shtetasve afganë që do të strehohen në Shqipëri pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët.

Sipas ligjit, personi me statusin e mbrojtjes së përkohshme nuk duhet të dëbohet, të kthehet apo të ekstradohet jashtë territorit të Shqipërisë.

Për menaxhimin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga afganët që do të vijnë në Shqipëri, qeveria ka vendosur gjithashtu krimin e një Task-Force, e cila përbëhet nga 7 ministra dhe kryesohet nga ministra e Jashtme, Olta Xhaçka.

Task-Forca ka këto detyra:

  • Komunikon me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen refugjatët afganë
  • Harton planin për menaxhimin e procesit të kërkimit të statusit të mbrojtjes.
  • Koordinon planin e strehimit të afganëve
  • Rregullon kuadrin ligjor, nënligjor dhe rregullator që ka lidhje me strehimin dhe qëndrimin e afganëve.
  • Menaxhon fondet që do të përdoren për strehimin e afganëve gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Qeveria ndërkohë ka vendosur të shtojë kapacitetet pritëse në Qendrën e Azilkërkuesve në Tiranë dhe për këtë ka miratuar një fond 6.7 mln lekë.

Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se afganët nuk do të strehohen në kampe të posaçme për ta pasi sipas tij kjo do të ishte çnjerëzore.

Kur njoftoi vendimin e qeverisë për të pranuar kërkesën për strehimin e afganëve, Rama tha se do të vijnë disa qindra.

Më vonë kryeministri tha për gazetën spanjolle El Periodico se fillimisht do të vijnë 1 mijë afganë.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka deklaroi pas një mbledhje të NATO-s se Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë.

Qeveria ende nuk ka bërë publik planin se sa afganë do të strehohen në Shqipëri.

Grupi i parë i emigrantëve pritet të vendosen në dy godina në Qytetin Studentin. Vende të tjera strehimi do të jenë disa hotele në Durrës dhe një hotel në Berat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>