Qeveria i përvetëson Fondacionit Shqiptaro-Amerikan projektin e Pazarit të Ri

Qeveria i përvetëson Fondacionit Shqiptaro-Amerikan projektin e Pazarit të Ri

Më 14 mars, në  ceremoninë e përurimit Pazarit të Ri, Kryeministri Rama “harroi” të përmendë se nismëtari, planifikuesi dhe investitori kryesor i këtij projekti është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Në fjalën e tij Zoti Rama ja dha meritën e projektit Bashkisë së Tiranës dhe Kryebashkiakut Veliaj duke shpërfillur terësisht Fondacionin:

Vetëm sot mund të shikojmë këtu se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur.

Parafytyroni si do ishte këtu sikur në 2015 Bashkia e Tiranës të mos ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërhiste kryetari i bashkisë në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë natë për komunitetin dhe bëhen ditë natë projektet për transformimin e madh që ka filluar.

Duket se si reagim ndaj kësaj mosmirënjohje dhe shtrembërimi të realitetit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka sqaruar me një deklarate për shtyp publikun për të gjithë ato detaje që Kryeministri Rama e Kryebashkiaku Veliaj zgjodhën t’i mbanin të fshehura.

Fondacioni pohin se projekti për Pazarin e Ri është projektuar dhe ka nisur pesë vite më parë, pra kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte Lulzim Basha dhe qeverinë Sali Berisha.

Fondacioni thekson se investimi më i madh në projekt, prej më shumë se 4 milionë euro, e kanë bërë bizneset private të zonës. Vetë Fondacioni ka investuar rreth 3 milionë dollarë, përfshi koston e hartimit dhe projektimit dhe mbështetjen e bizneseve të zonës me fonde dhe konsulencë, ndërsa qeveria dhe bashkia kanë dhënë 2,5 milionë dollarë dhe janë përfshirë në projekt vetëm gjatë vitit të fundit.

Njoftimi për shtyp i Fondacionit shprehet se:

Sfida e nisur 5 vite më parë, u kurorëzua sot me inagurimin e kompleksit të rikonstruktuar të Pazarit të Ri me të gjithë infrastrukturën bashkohore.

Në këtë projekt ambicioz, për të cilin shumë ishin skeptik, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka angazhuar 3 milion USD dhe Bashkia Tiranë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kontribuan me rreth 2,5 milion USD në punimet e rikonstruksionit. Ndërsa investimet private nga bizneset e zonës kanë kaluar shumën 4 milion$.

Angazhimi dhe investimi i AADF tek Pazari i Ri do të vazhdojë me krijimin e Zonës për Zhvillimin e Turizmit – TID Tirana, model i zbatuar me sukses nga Fondacioni në disa qytete të Shqipërisë. Fondacioni do të mbështesë bizneset lokale të zonës në krijimin e shoqatës të bizneseve si dhe duke dhënë grante për të përmirësuar bizneset në zonën TID së bashku me shërbimet e duhura të konsulencës për to.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>