Qeveria kalon kontrollin e plagjiarizmit nga universitetet tek Ministria e Arsimit

Qeveria kalon kontrollin e plagjiarizmit nga universitetet tek Ministria e Arsimit

Në përpjekje për të shuar protestat e studentëve, të cilat priten të rifillojnë sërish në janar, qeveria miratoi një sërë vendimesh më 26 dhjetor, me anë të të cilave Rama pretendon se plotëson kërkesat e studentëve.

Megjithatë, me një shikim të thjeshtë kuptohet se disa nga vendimet e Kryeministrit Rama heqin përgjegjësitë universiteteve, në vend që t’i fuqizojnë dhe t’i bëjnë ato më të pavarura.

Një shembull për këtë është VKM-ja për plagjiaturën. Sipas VKM-së, Ministria e Arsimit do të krijojë një arkivë digjitale të disertacioneve të përdorura për fitimin e gradave shkencore. Ministria po ashtu do t’i kontrollojë këto punime për plagjiaturë, me anë të një programi (software) për “kontrollin automatik të plagjiaturës”.

Para së gjithash, shumë institucione të arsimit të lartë tashmë i kanë disertacionet e tyre të publikuara online, për shembull Universiteti i Tiranës e ka tashmë arkivën e tij. Pikërisht kjo arkivë u përdor për të zbuluar disa raste të plagjiaturave të zyrtarëve qeveritarë. Prandaj, VKM-ja krijon në mënyrë të panevojshme sisteme që tashmë ekzistojnë duke shpërdoruar kështu fonde publike.

Së dyti, vetëm një pjesë e kontrollit për plagjiaturë mund të bëhet përmes programeve të automatizuara. Pjesa më e madhe e disertacioneve të prodhuara në Universitetin e Tiranës apo institucione të tjera të arsimit të lartë, janë të shkruara në gjuhën shqipe, që do të thotë se forma më e zakonshme e plagjiaturave në këto punime, e cila është citimi dhe përkthimi nga anglishtja apo gjuhë të tjera, nuk mund të kapen nga programet anti-plagjiaturë që janë tashmë në treg, si përshembull Turnitin.

Zbulimi i plagjiaturës në këto raste përfshin njohjen e fushës specifike të kërkimit dhe të literaturës së saj shkencore, përkthimin sërish në anglisht apo në gjuhë të tjera tëpunimeve dhe orë të gjata kërkimore në internet dhe libra. Për më tepër, kontrolli i plagjiaturës gjithmonë kërkon gjykim subjektiv, sepse vija midis citimit të duhur dhe kopjimit nuk është gjithmonë e qartë. Me fjalë të tjera, kontrolli i plagjiaturës është një detyrë për komitetet e disertacioneve nëpër universitete, jo për Ministrinë e Arsimit, e cila nuk posedon kapacitetet e nevojshme.

Për më tepër, duke hequr kontrollin e plagjiaturës nga institucionet e arsimit të lartë dhe duke e vendosur atë në Ministrinë e Arsimit, qeveria me siguri do të përkeqësojë edhe më shumë standardet tashmë të ulëta akademike të kontrollit të disertacioneve.

Duke i hequr kontrollin e plagjiaturës universiteteve, qeveria ka hequr një nga format thelbësore të kontrollit të cilësisë nga universiteti. Tani komisionet e disertacionit në universiete mund të tundohen që thjesht të miratojnë një disertacion, ta dërgojnë atë për kontroll në ministri dhe të presin që ministria të kapë ndonjë plagjiaturë dhe të raportojë atë. Kjo, natyrisht, nuk do të ndodhë për shkak të arsyeve të lartpërmendura.

Së fundmi, asnjë nga këto procedura nuk është parashikuar në buxhet. Ministria e Arsimit nuk merr fonde shtesë për të ndërtuar një arkivë të tillë disertacionesh, nuk merr fonde për të marrë në punë specialistë të plagjiaturave për çdo fushë të akademisë, dhe nuk ka para për të blerë programet “automatik të kontrollit të plagjiaturës”.

Kontrollimi i plagjiaturës është një ndër funksionet thelbësore të bashkësisë akademike, që ndihmon në ruajtjen e standardeve të cilësisë dhe më e rëndësishmja, në besimin e publikut në kërkimet akademike. Në vend që të fuqizojë institucionet e arsimit të lartë, qeveria ka ndërmarrë, për të disatën herë, një lëvizje për t’i dobësuar ato, duke e kaluar një funksion të tillë akademik dhe të paanshëm, nën kontrollin e qeverisë.

Në këtë mënyrë, ky vendim i Qeverisë Rama e ka politizuar kërkimin akademik duke ja lënë kontrollin përfundimtar jo akademikëve, por burokratëve të painformuar. Ky vendim kërcënon pavarësinë e kërkimit akademik dhe duhet të jetë i papranueshëm për çdo studiues dhe student.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>