Kryetari i ardhshëm i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) do të jetë një funksionar i lartë politik socialist.
Në garën për kryetar të këtij institucioni të rëndësishëm rregulator, i cili me ligj duhet të jetë i pavarur dhe depolitizuar, janë katër individë që kanë shërbyer në poste politike në qeverisjen socialiste, dy pjesë e rëndësishme e propagandës qeverisëse socialiste.
Kandidatët janë:
— Denis Dedej, drejtor për Komunikimin në Bashkinë Tiranë, prej vitit 2016.
— Edvin Kukunja, ish-këshilltar ligjor në Ministrinë e Arsimit, prej vitit 2018 me të njëjtën detyrë në Ministrinë e Drejtësisë.
— Fatjon Hoxhalli, në vitin 2019 ishte këshilltar i Ministres së Arsimit Besa Shahini dhe prej vitit 2016 deri në 2019 këshilltar i Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi.
— Maklen Misha, prej vitit 2019 këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, në periudhën 2015-2018 këshilltar për komunikimin publik i Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Në periudhën 2011-2013 pjesë e grupit të punës që hartoi programin e punësimit në Partisë Socialiste. Ish-këshilltar i Edi Ramës kur drejtonte Bashkinë Tiranë. Bashkëthemelues në vitin 2008 i “Lëvizjes G99”.
Të katër kandidatët nuk e kanë fshehur në jetëshkrimin e tyre faktin se kanë pasur të bëjnë me detyra politike krah zyrtarëve të lartë socialistë.
AMA është organi rregullator i transmetimeve radio dhe televizive në Shqipëri. Ligji sanksionon se AMA duhet të jetë organ i pavarur, pasi duhet të garantojë konkurrencën, si dhe ka autoritet të dënojë shkelejt e ligjeve dhe standardeve nga mediat dhe të japë ose heqë licenca.
Në këtë kontekst, AMA është institucion thelbësor në tregun mediatik dhe për rrjedhojë edhe në lirinë e shprehjes.
Ligji ndalon kandidimin e anëtarëve të partive, por jo tekstualisht të funksionarëve politikë në organet qeverisëse sikurse është ai i këshilltarit në kabinetet e ministrave dhe funksionarëve të lartë politikë.
Hartimi i ligjit tejet të kontestuar për mediat online, i pritur me kritika serioze nga komuniteti i gazetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare po shoqërohet me përpjekjen për të kapur politikisht AMA-n.
Emërimi në krye të AMA-s të një personi që të shkuarën më të afërt ka zyrat politike do të ishte një goditje e rëndë e besueshmërisë së këtij institucioni dhe kërcënim për lirinë e medias dhe të shprehjes.