Qeveria ka filluar të kërkojë sërish një investitor për rafinerinë e Ballshit dhe ka marrë përsipër “të zgjidhë” problemin e rafinerisë. Nëse qeveria “e zgjidh” prapë problemin, me shumë gjasa abuzimet do të fillojnë sërish.
Në emisionin ‘Me pak fjalë’, në Euronews u analizua fakti se rafineria e Ballshit nuk mund të mbijetojë në treg dhe të jetë fitimprurëse me teknologjinë që ka.
Ajo duhet mbyllur me qëllim mbylljen e çdo shtegu për të abuzuar pasuritë dhe paratë publike.
Neritan Sejamini tha se qeveria ka lejuar grabitjen e fondeve publike nga kompanitë private që kanë marrë me qira ARMO-n. Skema e ndjekur nga këto kompani ka qenë gjithnjë e njëjta:
- Fillimisht është regjistruar një kompani në letër, pa patur as për përvojë, as për kapitale, as për para.
- Më pas kompania ka marrë në dorëzim rafinerinë dhe ka filluar punën: rafino, mos paguaj asnjë taksë dhe kosto. Ndërkohë kompania i ka shitur produktet me çmimet e tregut.
- Ajo ka vazhduar me këtë punë deri sa tatimet apo të tjerët të të sekuestrojnë apo mbyllin aktivitetin e rafinerisë.
- Kur ta mbyllin aktivitetin, kompania nuk ka humbur asgjë, dhe madje mund ta fillojë sërish nga e para me një emër të ri.
Ndërsa qeveria e ka mbështetur këtë skemën me këdo komapni që ka ardhur duke:
- Negociuar për të dhënë me qira rafinerinë, si në rastin e IRTC-së dhe Harry Sargent, pavarësisht se shteti ka vetëm 15 % të saj në pronësi.
- Ka lejuar vazhdimin e punës pavarësisht detyrimeve, me justifikimin se ka hallin e qindra punëtorëve.
Por në realitet punëtorët nuk janë paguar, as në bordero dhe as në sigurimet shoqërore. Madje tani qeveria ka vendosur t’i paguajë me para publike duke marrë përsipër dëmin e shkaktuar nga kompania private.