Qeveria komike mban shfaqje në aeroportin e Rinasit

Nga Ergys Mërtiri
Qeveria komike mban shfaqje në aeroportin e Rinasit

Qeveria akuzon “kinezët” se nuk po na e ruajnë mirë rendin. Sipas tyre, koncensionari që administron aeroportin qenka fajtori për grabitjen në Rinas, pasi nuk paska zbatuar kushtet teknike të sigurisë. Fakti që grabitësit ndiqen nga policia dhe arrijnë të zhduken në eter, i bie të jetë faji i “kinezëve”! Pse jo, faji i tyre duhet të jetë edhe për gjendjen e rendit, për inkurajimin e krimit, për paaftësinë e policisë, për moszbulimin e autorëve në vazhdimësi…

Në fakt, situata është tashmë absurde për shkak se ajo përsëritet për të tretën herë. Logjikisht, nëse herën e parë fajin e kishin grabitësit, të dytën e ka natyrisht rojtari. E kur ngjarja përsëritet për herë të tretë, mbetet që rojtari të jetë vetë grabitësi, sepse nuk ka se si të shpjegohet ndryshe. Nëse kësaj rradhe prolemi na paska ardhur nga “kinezët”, mbetet që herët e tjera të ketë ardhur nga “austriakët”. Po si dreqin të gjithë këta të huajt na qëllojnë me probleme?!

Paradoksi thellohet kur dëgjon se qeveria vuri ushtrinë të ruajë aeroportin, a thua se jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Pra, megjithëse policia e ka bërë mirë detyrën dhe nuk ka faj, problemi zgjidhet duke ia hequr asaj këtë funksion! Kjo ngjan me rastin e asaj barsaletës, ku dikush po kërkonte unazën poshtë shtyllës së ndriçimit, pasi aty ku i kish rënë nuk kishte dritë.

Megjithatë, ministri Lleshaj e gjeti një problem më të madh. Ai akuzoi opozitën dhe të gjithë ata që fajësojnë policinë, duke thënë se ata po mbajnë anën e krimit. Të denoncosh paaftësinë e policisë, sipas tij, do të thotë t’i shërbesh krimit! Për të qenë në anën e rendit duhet të vlerësosh maksimalisht dështimet e vazhdueshme të saj, duke mbetur i kënaqur me disfatën e këtij shteti përballë gjendjes së rëndë të kriminalitetit në vend. Me këtë logjikë i bie që, duke kërkuar një komplot rus në protestat e opozitës, qeveria po i shërben pikërisht qëllimeve të Putinit.

Në fakt, me një llogari të thjeshtë dhe po aq cinike sa ç’është absurde logjika e ministrit Lleshaj, na bie të bëhemi me krimin më mirë. Gjatë këtyre viteve kriminelët janë vrarë më shumë me njëri-tjetrin se ç’janë kapur nga forcat e rendit. Duket se krimi po e lufton më mirë krimin sesa policia. Përkundrazi, kjo e fundit ka qenë vazhdimisht në shërbim të kriminelëve, duke dekonspiruar operacionet e saj apo duke iu krijuar atyre hapësirat e nevojshme për veprimtarinë kriminale. E pra, ndërsa krimi lufton krimin, policia lufton policinë, në një vend që luan hajduti-polici në mënyrën më absurde.

Sipas Kryeministrit, qeveria nuk ka faj për asgjë. Sa herë që ka një skandal, një fatkeqësi apo një katastrofë ku mosfunksionimi i institucioneve, ligjeve apo kushteve të sigurisë është fare i dukshëm, qeveria do ta gjejë gjithmonë një ulluk për shkarkimin e fajit. Kështu, në rastin e protestës së studentëve fajin për gjendjen e mjerueshme në universitete e kishin rektorët dhe autonomia e universiteteve, në rastin e përmbytjeve fajin e kishte qielli që hodhi më shumë shi sesa ç’mbajnë kolektorët apo argjinaturat, për gjendjen e diplomacisë fajin e kanë diplomatët që nuk ia bëjnë hyzmetin një pune që as vetë qeveria nuk e ka të qartë, për imazhin e keq të Shqipërisë në Europë fajin e ka opozita destruktive që djeg goma dhe nxin realitetin duke sharë shtetin e vet në gjuhë të huaj… Qeveria është e rrethuar nga sabotatorë.

Grabitja spektakolare e miliona eurove në aeroport vjen menjëherë pas një atentati të bujshëm mafioz në qendër të Shkodrës, e cila erdhi menjëherë pas një tjetër atentati në qendër të Elbasanit. E megjithatë ministri Lleshaj thotë se gjendja e rendit është më e mira që ka qenë ndonjëherë. E ndërsa policia gjunjëzohet rregullisht përballë krimit, ministri iu gafurret qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur, duke e shkarkuar tek ata “forcën e shtetit”. Mëngjesin e ditës së grabitjes në Rinas, policia dukej mjaft “në formë” teksa zbarkonte egërsisht tek Bregu i Lumit, me forca speciale e gaz lotsjellës, për të bërë zap 30 familje të varfra që guxuan të kundërshtojnë shembjen e shtëpive të tyre. Cinizmi është therës.

Në një gjuhë të thjeshtë, një qeveri që nuk mban kurrë përgjegjësi quhet ‘e papërgjegjshme’. Një qeveri që nuk ka kurrë faj, megjithëse punët në vendin e saj shkojnë keq e mos më keq, natyrisht që, përveç qeverisjes, ka humbur edhe arsyen. Ajo fillon e bëhet gjithmonë e më komike, ndërsa realiteti gjithmonë e më i hidhur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>