Qeveria Kurti drejt heqjes së tarifës 100% ndaj Serbisë

Qeveria Kurti drejt heqjes së tarifës 100% ndaj Serbisë

Heqja e tarifës 100 për qind për produktet serbe duket se është çështje ditësh. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani deklaroi dje se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të takohen në ditët në vazhdim për të koordinuar hapat që do të marrin:

“Lidhur me konkretizimin a saj marrëveshje, besoj këto 2-3 ditë do të kemi një takim koordinues, dhe dot ë vendosen të gjithë hapat qoftë nga aspekti kohor, qoftë nga ai përmbajtjesor. Brenda pak ditësh do të jemi në gjendje, siç e kam potencuar edhe më herët këtë përgjigje nuk po e jap në emër të kuvendit, por, vetëm si partnere në  koalicion.”

Për të njëjtën çështje foli dhe kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili tha se heqja e tarifës ka për qëllim lehtësimin e rinisjes së dialogut mes Kosovës e Serbisë:

“Ne si koalicion qeverisës po tentojmë që të largojmë tarifën për t’i dhënë shans bashkësisë ndërkombëtarë të fasilitojë dialogun me Serbinë. Ne kemi kërkesat për vendosjen e reciprocitetit, por që kjo mos të pengojë dialogun me Serbinë. Pas heqjes së tarifës ne do t’i japim shans dialogut, i cili duhet të përgatitët mirë dhe me opozitën brenda.”

Përfaqësues të AAK-së e kanë kundërshtuar vendimin e koalicionit qeverisës për të hequr tarifën ndaj Serbisë pa marrë në këmbim njohjen reciproke.

Vetë kreu i saj ish-kryeministri Haradinaj i ka kërkuar publikisht kryeministrit Kurti të mos e heqë tarifën nëse Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës. Në një letër publike pak ditë më parë, Haradinaj i kujtonte Kurtit se ndërkombëtarët mund ta joshin me përfitime të momentit në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë, por Kosova duhet të kërkojë reciprocitet të plotë nga Serbia dhe njohje të pavarësisë.

Me ardhjen e qeverisë së re dhe vizitën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell, i cili në takimet me Kurtin ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë, duket se vendimi për heqjen e taksës tashmë është marrë dhe pritet vetëm të zyrtarizohet.

Prej vitit 2018 Kosova i ka vënë taksë 100 për qind mallrave serbe dhe boshnjake. Kjo masë u pa si përgjigjie nga qeveria e Ramush Haradinajt ndaj politikave bllokuese që po ndërmerrte Serbia, mirëpo pas vendosjes së taksës Presidenti Aleksandar Vuçiç ndërpreu bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Prej 2 vitesh ndërkombëtarët janë përpjekur të ndërmjetësojnë rinisjen e dialogut, por Serbia nuk pranonte rikthim në bisedime pa heqjen e taksës, ndërsa Kosova nuk pranonte heqjen e taksës pa ndalim të fushatës serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë.

Me te marrë detyren si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”, por  pa sqaruar më qartë se si do të ndodhë kjo.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme