Qeveria Kurti heq pjesërisht tarifat ndaj mallrave serbe

Nga Bledar Qalliu
Qeveria Kurti heq pjesërisht tarifat ndaj mallrave serbe

Qeveria e Albin Kurtit ka hequr pjesërisht tarifat për importet serbe, sipas propozimit të tij të mëparshëm, që ishte kundërshtuar nga administrata amerikane dhe nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Vendimi i sotëm heq menjëherë tarifat për lëndët e para të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Lëndët e para përbëjnë rreth 75 përqind të totalit të importeve të Kosovës nga Serbia.

Më 1 prill, qeveria do të nxjerrë një vendim tjetër për heqjen e plotë të tarifave të vendosura nga Qeveria Haradinaj në nëntor 2018, dhe do të nisë zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë në të gjitha fushat – ekonomi, tregti dhe politikë.

Kurti deklaroi se 10 ministra votuan pro vendimit të sotëm, dhe 2 abstenuan. Qeveria e Kosovës ka ministra.

Sipas ediave në Kosovë, qeveria nuk mbajti mbledhje të rregullt për shkak të koronavirusit, por ministrat votuan në internet. Ministrat e LDK-së nuk morën pjesë, dhe ata të Lista Srbskas abstenuan.

Sot, gati në të njëjtën kohë me vendimin e qeverisë, LDK paraqiti në parlament një mocion mosbesimi kundër kryeministrit Albin Kurti. Rrëzimi i Qeverisë Kurti mbështetet gjerësisht nga partitë opozitare – PDK, AAK, NISMA.

LDK u largua nga koalicioni për shkak të mospajtimit të Kurtit me këmbënguljen e administratës amerikane që qeveria e tij të hiqte tarifat menjëherë dhe pa kushte, pa masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Masat e reciprocitetit ishin pjesë e programit të koalicionit qeverisës të nënshkruar nga LVV dhe LDK, por presioni i të dërguarit të SHBA-ve Richard Grenell e detyroi LDK-në të kërkojë rrëzimin e qeverisë ku vetë bënte pjesë.

Në vend të kryeministrit Albin Kurti, Grenelli preferon Presidentin Hashim Thaçi të udhëheqë Kosovën në bisedime me Presidentin e Serbisë Alexandar Vucic për një marrëveshje të mundshme përfundimtare midis dy vendeve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme