Qeveria lë pa përgjigje minatorët, Sindikata i kërkon Denajt të miratojë statusin

Nga Exit News
Qeveria lë pa përgjigje minatorët, Sindikata i kërkon Denajt të miratojë statusin

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës(SMBB) i ka kërkuar të enjten ministres së Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj që të miratojë statusin e minatorit.

Tre javë pas dërgimit në Kuvend të peticionit për “Statusin e Minatorit”, qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Të mërkurën minatorët e denoncuan mungesën e përgjigjes nga institucionet qeveritare dhe u shprehën se “nuk do të rrinë duarkryq”.

Në njoftimin e Sindikatës thuhet:

“Qeveritarët bëjnë takime me pronarë, hanë dreka e darka, ndërsa për minatorët nuk do të dijë askush. Ulja apo heqja e rentës ndryshon vetëm numrin e milionave në xhepat e pronarëve. Ndërsa minatorët, veçanërisht të Batrës dhe Zonës D, ose janë hedhur në rrugë, ose janë pa paga prej muajsh. Pa asnjë lloj mbrojtje prej shtetit dhe institucioneve përkatëse.

Minatorët sot mund të jenë të shtypur, mund të jenë të shfrytëzuar, e madje të skllavëruar, por nuk do të rrimë gjithmonë kështu. Heshtja, zvarritja dhe tallja qeveritare, herët a vonë do të marrin përgjigjen që meritojnë”

Më 21 Dhjetor minatorët dorëzuan në Kuvend peticionin me 10 700 firma, për kërkimin e “Statusit të Minatorit”.

Të mërkurën minatorët thanë se pavarësisht se kanë shprehur gatishmërinë për takime të tjera sqaruese, ata nuk kanë marrë  asnjë reagim nga institucionet shtetërore. Sindikata deklaroi:

“Parlamenti, Kryeministria, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës kanë mbyllur sytë dhe veshët para kërkesës jetike të minatorëve”.

Për të lexuar më tepër rreth situatës së minatorëve dhe kërkesës për Statusin e Minatorit kliko këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>