Sipas disa mediave, Qeveria duket se ka hartuar dy projekt-ligje për të ndryshuar mënyrën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përpara fillimit të detyrës, duke e bërë të panevojshëm betimin para Presidentit të Republikës. Sipas një dokumenti të publikuar nga Balkanweb, qeveria propozon që:
“Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, [..] ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”.
Me një nen të veçantë që duket se i jep fuqi prapavepruese ligjit, në tekstin e dokumentit thuhet:
“Gjyqtarët e zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, por që nuk kanë bërë betimin, me hyrjen në fuqi të këtij ligji betohen sipas rregullave të këtij ligji”.
Nëse ky propozim do të zyrtarizohet, ai është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe parimet bazë të shtetit të së drejtës.
Mënyra e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e përcaktuar në Kushtetutë, dhe nuk mund të ndryshohet me ligj por vetëm me amendim të Kushtetutës. Neni 129 i Kushtetutës përcakton se se “gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, jo vetëm duke përcaktuar Presidentin si të vetmin autoritet për betimin, por duke përcaktuar se betimi bëhet fizikisht “para” Presidentit.
Asnjë lloj ligji nuk mund të përcaktojë autoritet apo mënyrë tjetër për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Madje edhe nëse shumica socialiste do të miratonte një ligj të tillë, ai do të ishte antikushtetues dhe absolutisht i pavlefshëm.
Për më tepër, procedura Kushtetuese do të ishte sërish sunduese pasi ligji themelor i shtetit përcakton (neni 4) se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe çdo ”dispozitë e saj zbatohet drejtpërsëdrejti.”
Ky projektligj, nëse konfirmohet, duket se ka për qëllim kryesor krijimin e një mjet ligjor antikushtetues ligjore për të imponuar Arta Vorpsin si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai kërkon të marrë fuqi prapavepruese që do ta bënte të aplikueshëm në rastin e Vorpsit.
Vorpsi e cila u emërua në mënyrë të debatueshme nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë, por u pa pranuar nga Presidenti, i cili ka emëruar për të njëjtin vend Marsida Xhaferrllarin, tentoi të betohej me një deklaratë të noterizuar para një notereje, pa pritur fare nëse Presidenti do ta thërriste apo jo për betim. Në fakt disa ditë më vonë nga akti i saj noterial, Presidenti Meta thirri për betim Xhaferllarin.
Si i tillë ky propozim ligjor, bie ndesh më një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës: ligji duhet të ketë karakter të përgjithshëm dhe është direkt i zbatueshëm nga momenti kur hyn në fuqi.
Ky parim konsiston në dy elemente: një ligj nuk mund të bëhet për një individ apo një rast të veçantë por duhet të jetë i përgjithshëm dhe ligjet nuk mund të kenë efekte për veprimet apo ngjarjet që kanë ndodhur në kohën kur ligji nuk ka ekzistuar apo ka pasur një tjetër rregullim ligjor.