Më 17 shtator, çdo qytetar i cili do të kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim. Më 22 qershor, tre muaj pas protestës kundër tarifave për kalimin e Rrugës së Kombit dhe arrestimit të kuksianëve, kompania koncesionare dhe qeveria vendosën të ulin tarifën për banorët e Kukësit në 100 lekë për çdo kalim.
Megjithëse ulja e tarifës duket sikur favorizon qytetarët, të ardhurat e munguara nga kjo ulje do t’i paguhen kompanisë koncesionare nga buxheti i shtetit, pra nga taksapaguesit shqiptarë.
Shteti shqiptar do t’i paguajë koncesionarit për 30 vitet e kontratës, 48.5 milion euro kompesim për humbjen nga ulja e tarifës për banorët e Kukësit.
Ky fakt u bë i ditur nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë takimit me përfaqësuesit e qytetarëve të Kukësit:
“Të gjitha zbritjet [..] për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48.5 milionë euro. […] dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme”.
Vendosja e tarifave
Vendosja e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit u lajmërua nga qeveria në fund të marsit 2018.
Tarifat e miratuara nga qeveria janë këto:
– Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;
– Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;
– Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.