Kuvendi miratoi dje ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që e bën totalisht të panevojshëm betimin para Presidentit, përpara fillimit të punës së anëtarëve.
Ndryshimi që qeveria prozoi dhe kuvendi miratoi është që “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin brenda 10 ditësh nga Presidenti, [..] ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”.
Një tjetër ndryshim i miratuar dje ka të bëjë me anëtarët e GjK-së që janë zgjedhur ose emëruar, por që ende nuk kanë bërë betimit. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ‘ata do të betohen sipas rregullave të këtij ligji’, duke i dhënë fuqi prapavepruese ligjit.
Siç Exit News ka shpjeguar në një shkrim të mëparshëm, këto ndryshime janë anti-kushtetuese dhe shkelin parimet kushtetuese. Së pari parimin e karakterit të përgjithshëm të ligjit dhe së dyti parimin se ligji nuk ka fuqi prapavepruese përveç në ato raste kur është ligj penal favorizues.
Vetë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i mbrojti ndryshimet duke thënë se ato nuk e shkelin Kushtetutën.
Por mënyra e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e përcaktuar në Kushtetutë, dhe nuk mund të ndryshohet me ligj por vetëm me amendim të Kushtetutës.
Neni 129 i Kushtetutës përcakton se se “gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, jo vetëm duke përcaktuar Presidentin si të vetmin autoritet për betimin, por duke përcaktuar se betimi bëhet fizikisht “para” Presidentit.
Asnjë lloj ligji nuk mund të përcaktojë autoritet apo mënyrë tjetër për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse shumica socialiste i miratoi ndryshimet në ligj, ato janë antikushtetues dhe të pavlefshme.
Për më tepër, procedura Kushtetuese do të ishte sërish sunduese pasi ligji themelor i shtetit përcakton (neni 4) se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe çdo ”dispozitë e saj zbatohet drejtpërsëdrejti.”
Ky ligj duket se ka për qëllim kryesor krijimin e një mjet ligjor antikushtetues ligjore për të imponuar Arta Vorpsin si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai kërkon të marrë fuqi prapavepruese që do ta bënte të aplikueshëm në rastin e Vorpsit.
Arta Vorpsi, e cila u emërua në mënyrë të debatueshme nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë, por u pa pranuar nga Presidenti, i cili ka emëruar për të njëjtin vend Marsida Xhaferrllarin, tentoi të betohej me një deklaratë të noterizuar para një notereje, pa pritur fare nëse Presidenti do ta thërriste apo jo për betim. Në fakt disa ditë më vonë nga akti i saj noterial, Presidenti Meta thirri për betim Xhaferllarin.
Si i tillë ky propozim ligjor, bie ndesh më një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës: ligji duhet të ketë karakter të përgjithshëm dhe është direkt i zbatueshëm nga momenti kur hyn në fuqi.
Ky parim konsiston në dy elemente: një ligj nuk mund të bëhet për një individ apo një rast të veçantë, por duhet të jetë i përgjithshëm dhe ligjet nuk mund të kenë efekte për veprimet apo ngjarjet që kanë ndodhur në kohën kur ligji nuk ka ekzistuar apo ka pasur një tjetër rregullim ligjor.