Drejtësia në shërbim të Mark Frrokut

Drejtësia në shërbim të Mark Frrokut

Gjykata e Fierit vendosi para dy javësh lirimin me kusht të ish-deputeti Mark Frroku, pas 3 viteve e 23 ditëve burg, sepse ai është “rehabilituar plotësisht”.

Gjyqtarja Matilda Shalla argumentoi se ish-deputeti është sjellë mirë gjatë qëndrimit në burg, “është rehabilituar plotësisht”, ndaj “dalja e tij në jetën e lirë nuk do t’i sillte asnjë pasojë sociale shoqërisë.”

Ky vendim nuk është pranuar nga Prokuroria e Fierit, si i pabazuar në prova të mjaftueshme. Sipas prokurorisë, Frroku nuk i plotëson kushtet dhe nuk ndodhet në “rrethana të veçanta” për të përfituar lirimin me kusht, pasi në të njëjtat kushte si Frroku ndodhen dhe shumë të dënuar të tjerë.

Prokuroria e Fierit tha se do ta apelojë vendimin e gjykatës pasi “nuk u faktua se i dënuari Mark Frroku i nevojitej domosdoshmërisht mbijetesës së familjes së tij dhe se lirimi i tij nuk do të sillte ndryshim të dukshëm në situatat familjare”.

Mark Frroku u dënua në prill 2017 nga gjykata e shkallës së parë Tiranë me 7 vjet e 6 muaj për akuzën e “fshehje të pasurisë”, “pastrim parash” dhe “ndërtim të paligjshëm”.

Mark Frroku, në janar të viti 2018, pas vendimit të gjykatës së Apelit Tiranë për uljen e dënimit nga 7 vjet e gjashtë muaj në 6 vjet, i bëri kërkesë Gjykatës së Fierit për lirim me kusht. Në kërkesë, Frroku shprehet se për arsye familjare si “bashkëshortja e sëmurë”, “prindërit e moshuar” e “pasja e aksioneve në një biznes” dhe kryerja e më shumë se gjysmës së dënimit i jep të drejtën të kërkojë lirim me kusht.

Vendimi i gjykatës Fierit vjen në një kohë që:

Mark Frroku është i dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në qytetin Nivelle të Belgjikës për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999, pas disa përplasjes mes bandave që kontrollonin një rrjet prostitucioni; dhe

Gjykata e Strasburgut vendosi, më 30 mars 2018, refuzimin e kërkesës së tij për zgjatje të procesit gjyqësor përtej afateve nga drejtësia belge, duke vazhduar të quajë të drejtë dënimin e gjykatës belge për “vrasje me paramendim në bashkëpunim”.

Kjo nuk është hera e parë që gjykatat dhe qeveria shqiptare mbrojnë Mark Frrokun nga dënimi për vrasje në Belgjikë dhe nga akuza të tjera kriminale në Shqipëri.

Në vitin 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli atë të pafajshëm për vrasjen e shtetasit shqiptar në Belgjikë, për mungesë provash pavarësisht se Prokuroria e Përgjithshme kërkoi 25 vite burg.

Në janar 2015, Interpol Tirana fshehu për dy muaj urdhër arrestin ndërkombëtar të ardhur nga Belgjika në ngarkim të Frrokut.

Në 18 mars 2015, në media u botua raporti i nëntë oficerëve të policisë ku behej me dije se me 1 tetor 2014  deputeti Frroku kishte fshehur në makinën e tij të kërkuarin për trafik droge, Bardhok Pllanaj:

Sipas raportit të oficerëve të Policisë, policët kanë qënë në ndjekje të një makine ku mendohej se fshihej personi i kërkuar. Por “nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40-45 vjeç, i veshur me kostum ngjyrë blu e errët, është prezantuar si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër të tjera se:

Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të Parlamentit, pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time”.

Pavarësisht se policët kishin lajmëruar eprorin e tyre, ndaj Frrokut nuk u mor asnjë masë dhe ai vazhdoi të ishte deputet i Kuvendit.

Në 30 mars 2015 Ministria shqiptare e Drejtësisë iu përgjigj autoriteteve belge se ajo nuk mund ta ekstradonte Frrokun. Por shtonte se Prokuroria kishte vendosur ta ndiqte çështjen penale të tij në Shqipëri, duke kërkuar me këtë rast edhe dokumentacionin përkatës.

Në 2 prill 2015 Prokuroria arreston Mark Frrokun për akuzën e vrasjes në Belgjikë dhe në shtator 2015 Prokuroria refuzon kërkesën e Mark Frrokut për të marrë pjesë në gjyqin që do të zhvillohet në Belgjikë më 19 tetor 2015 sepse ia ndodhej në gjykim në Shqipëri si i përfshirë në çështjen Doshi-Meta.

Në 22 prill 2017 Mark Frroku u lirua nga akuzat e ngjarjes së Belgjikës për mungesë provash nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ai menjëherë më pas shpalli aleancën me Partinë Socialiste. Partia e tij lëshoi një deklaratë për shtyp ku shkruhej se:

Ne, Partia Kristian Demokrate i bëjmë me dije opinionit publik se kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi përkrah qeverisë dhe koalicionit qeveritar të Aleancës për Shqipërinë Europianë.

Demokristianet e vërtetë e bëjnë fare mirë dallimin e atyre të cilët bëjnë të pamundurën të realizohet reforma në drejtësi dhe atyre të cilët janë të zhytur në krime dhe korrupsion ku të mbërthyer në çadër po bëjnë të pamundurën për te frenuar vazhdimin e reformës në drejtësi e cila do ti zbardh faqen vendit tonë në dekadat që do të vijnë.

Vlen të përmendet se dhe vëllai i Mark Frrokut, Arben Frroku është arrestuar në Holandë në 2015, dhe është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e komisar të policisë Dritan Lamajt. Arben Frroku pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>