Qeveria nis prishjen e banesave në Laprakë, banorët kundërshtojnë: Nuk jemi njoftuar

Qeveria nis prishjen e banesave në Laprakë, banorët kundërshtojnë: Nuk jemi njoftuar

Inpektoriari Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot shembjen e ndërtesave në Laprakë, si pjesë e projektit të Unazës së Re.

Banorët janë përplasur me policinë dhe kanë kundërshtuar shembjen e shtëpive, duke u shprehur se nuk janë lajmëruar për prishjen e banesave.

Banorët deklaruan se banesat janë të legalizuara ose në proces legalizimi dhe nuk kanë marrë asnjë njoftim paraprak siç e parashikon ligji. Shumë prej familjeve janë nxjerrë sot me forcë nga banesat e tyre, nga policia dhe më pas IKMT ka vijuar me shembjen.

Njëri prej banorëve, Bajram Nela, shpjegoi se ka marrë njoftim për prishjen e shtëpisë së tij vetëm një natë më parë, me anë të një shkrese, ku ndër të tjera shkruhej se zotëria kishte afat 30 ditë për të ankimuar këtë vendim. Brenda pak orëve nga marrja e njoftimit, po dje, zoti Nela ka bërë ankimimin për të kundërshtuar vendimin, por sot fadromat e IKMT-së kanë nisur shembjen e banesave.

Projekti i Unazës së Re ende nuk është bërë publik për qytetarët duke shkaktuar zemërimin dhe protesta tek qindra familje në zonën e Astirit dhe Laprakës, shtëpitë e të cilëve qeveria kërkon t’i shembë.

Në zonën e Astirit, ku qytetarët po protestojnë tashmë prej javësh, janë rreth 317 prona private që qeveria parashikon t’i shembë për t’i hapur rrugë  ndërtimit të Unazës së Re. Ndërkohë që në zonën e Laprakës ende nuk dihet se sa ndërtesa janë.

Një ditë më parë, IKMT-ja ka nisur prishjen e banesave dhe në zonën e Shkozës, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës Lindore, loti 3. Njësoj si në rastin e banorëve të Astirit dhe Laprakës, dhe banorët e Shkozës u shprehën se nuk janë lajmëruar nga institucionet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>