Krijimi i Prokurorisë Speciale të Antikorrupsionit (SPAK) do të marrë edhe disa muaj kohë për shkak të mungesës së fondeve dhe burimeve njerëzore për hetimin e 270 dosjeve për 27 kandidatët që kanë aplikuar në SPAK.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca deklaroi në fillim të shkurtit se Bashkimi Evropian do të japë 34 milionë euro për tre vitet e ardhshme si mbështetje për reformën në drejtësi, duke sugjeruar se institucionet e reja do të kenë mbështetjen e nevojshme financiare.
Për periudhën 2019-2022, BE do të jape 34 milionë euro për mbështetje financiare dhe 8 milionë euro të tjera për “asistencë teknike” (si mbështetje përmes prokurimeve publike). Fondet do të alokohet përmes programit të “Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA)”, sistemi i ndihmës financiare të Bashkimit Evropian për qeverinë shqiptare, të ndara në tre vite. Por fondet e premtuara nga BE-ja janë të papërfillshme krahasuar me kostot e sistemit të ri të drejtësisë.
Ky fond përbën vetëm 20 për qind të kostos financiare të reformës në drejtësi të parashikuar nga BE-ja për periudhën 2017-2021. Kostoja e reformës në drejtësi e parashikuar nga ndërkombëtarët është 98 milionë euro.
Në shtator 2017, qeveria Rama i uli me 40 për qind fondet për institucionet e vetingut, duke siguruar që në krye një fillim të ngadalshëm të zbatimit të reformës.
Gjithashtu, pavarësisht ndryshimeve të kryera nga qeveria në shtator 2018, — ulja me 20 për qind e buxhetit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), dhe shkurtimi i numrit të punonjësve për KLP nga 75 në 65 dhe për KLGJ nga 144 në 125 punonjës —problemi kryesor financiar mbeten pagat e punonjësve të institucioneve, të cilat nga 5,3 milionë euro në 2018 u dyfishuan në 12 milionë euro në vitin 2019.
Me fjalë të tjera, kostot e larta të reformës në drejtësi dhe paaftësia e qeverisë për të plotësuar nevojat fiannciare dhe burimet njerëzore për institucionet e drejtësisë e vështirëson vendosjen e një sistemi drejtësie të pavarur dhe profesional.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se si do të paguajë qeveria shqiptare për sistemin e drejtësisë pas vitit 2021, kur të mbarojë edhe mbështetja e BE-së.