Qeveria do të paguajë 100 mijë euro konsulencë për çdo një kilometër rrugë të ndërtuar në rrugën Orikum -Dukat.
Ministria e Infrastrukturës ka dhënë me tender, më 5 maj 2021, 193 497 925 lekë ose 1,6 milionë euro për “Shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e Kontratës Koncesionare, për rrugën Orikum-Dukat”. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë 2 vjet.
Kompanitë fituese, Gjeokonsul dhe Geosat do të monitorojnë cilësinë e ndërtimit të rrugës dhe zbatimin e kushteve të kontratës konçesionare.
Në vitin 2019, qeveria dha me koncesion për 13 vjet ndërtimin e rrugës Orikum Dukat me gjatësi 16 kilometra, me kosto 50 milionë euro. Kompania koncesionare është Gjikuria shpk.
Rruga fillon në rrugën e Portit të Jahteve, për të kaluar më pas në Bypass Orikum dhe përfundon në Dukat (Ura e Shën Elizës). Ajo do të ketë 3 ura dhe dy mbikalime 12 metra të gjatë.