
Qeveria po përgatit një paketë të dytë ndihme ekonomike për ato biznese që nuk janë mbyllur me vendim qeverie, por që kanë mbetur pa punë si pasojë e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve.
Gjatë komunikimit live, kryeministri Rama lajmëroi se paketa do të publikohet më 15 prill dhe në të do të përfshihen biznese si agjencitë turistike, dyqanet e veshjeve dhe produkteve të tjera, parukeritë etj, biznese të cilat edhe pse mund të jetë të hapura, nuk kanë klientë.
Rama njoftoi qytetarët se ka nisur lëvrimi i fondeve të paketës së parë ekonomike dhe deri më 6 prill, 9500 punonjës të bizneseve të vogla, kanë marrë ‘pagën e luftës’.
Deri në fund të javës, pritet që të shpërndahen deri në 60 mijë paga të tjera.
Bizneset e vogla të mbyllura për shkak të masave kufizuese mund të aplikojnë në faqen online të Drejtorisë së Tatimeve, e cila pasi bën verifikimit, miraton dhënien e pagave.