Qeveria tall Presidentin, nuk ndryshon qëndrim

Qeveria tall Presidentin, nuk ndryshon qëndrim

Partia Socialiste nuk ndryshon qëndrim as ndaj Presidentit Ilir Meta dhe as ndaj zgjedhjeve të 30 qershorit. Ata mbeten të vendosur të shkojnë në zgjedhje. Këtë gjë e treguan në dy reagime të ndryshme, Zëvendës-Kryeministri Erion Braçe dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Meta u shpreh mëngjesin e së hënës se pas dekretit të tij “30 qershori si datë zgjedhjesh ka rënë dhe nuk ekziston më ligjërisht”. Po kështu ai tha se vazhdimi i fushatës nga ana e Partisë Socialiste dhe vajtja në zgjedhje është e paligjshme, gjë për të cilën Presidenti tha se “askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit”.

Por pas deklaratës së tij, Zëvendës-Kryeministri Braçe shkroi duke replikuar me Partinë Demokratike e duke iu kthyer “argumentit të ligjit” të përdorur edhe nga Presidenti. Në Twitter Braçe shkroi se “socialistët do jenë kudo më 30 qershor” dhe se “kush pengon zgjedhësit të votojnë do përballen me burgun”.

Nuk do përballeni me socialistët? Shikoni, ne aty do jemi! Deri tani kemi qëndruar larg, por në 30 qershor do jemi kudo, kudo! Jo për ju, por për të drejtën e votës. Nga ne nuk u vjen e keqja! Përballjes me ligjin ruajuni! Prej andej vjen burgu e pas tij izolimi!

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali u përqendrua vetëm te Presidenti. Edhe ajo reagimin e saj e bëri në Twitter. Sipas Spiropalit qëndrimi i Presidentit është kthyer në “komedi”:

Ilir Meta që pa gdhirë tha se nuk ka anuluar zgjedhjet në SHBA, Itali apo Kinë, kështu që bota duhet ta mbyllë gojën se në Shqipëri vendos Ai se kur voton Populli! Dmth sa të kem Lulin&Monën me vete s’pyes për Amerikën&Europën – historia që përsëritet si komedi me Haxhiun e ri!”, shkruan Spiropali.

Komenti i Ministres Spiropali, u shpërnda (retweet) edhe në profilin zyrtar të Kryeministrit Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>