Çdo mëngjes Agimi* dhe kolegët e tij marrin të njëjtët mesazhe me instruksione në WhatsApp. Anëtarët e grupit të chat-it, rreth 80 të punësuar në administratën publike, udhëzohen të publikojnë dy deri në katër lajme (links) në rrjetet e tyre sociale.
Lajmet që duhet të publikohen në mënyrë ‘urgjente’ janë propagandë qeveritare. Ato tregojnë çfarë bëri ministri apo ministrja apo lavdërojnë qeverinë socialiste. Lajmet dërgohen nga persona të caktuar në ministri, të cilët janë punësuar për të ruajtur reputacionin e secilit ministri në rrjete sociale.
“Është e turpshme t’i shpërndash ato – të afërmit dhe miqtë e dinë që nuk është e natyrshme, por duhet ta bëjmë gjithsesi.”
Në fund të çdo jave kontrollohen rrjetet sociale të të gjithë të punësuarve për të parë nëse janë shpërndarë të gjithë lajmet proqeveritare në profilet e tyre.
Nëse nuk poston sa duhet, mund të humbasësh edhe vendin e punës. Agimi tregon se askush nuk guxon të mos i postojë lajmet apo aktivitetet, për të cilat udhëzohen që t’i shpërndajnë.
Gjithashtu, ata njoftohen sa herë ministri del drejtpërdrejtë në Facebook dhe udhëzohen ta ndjekin dhe të shtojnë numrin e shikuesve. Edhe kur daljet e ministrit ndodhin jashtë orarit të punës, ata janë të detyruar ta ndjekin.
“Na thonë të komentojmë gjëra si ‘bravo’, ‘kjo është partia që duam’ dhe ‘ju jeni e ardhmja’, por unë nuk komentoj gjëra të tilla sepse nuk shtirem dot”, thotë Agimi.
E pyeta nëse ai është i angazhuar me ndonjë parti politike dhe përgjigja e tij ishte negative. Por ai më tha se duke qenë se kishte punuar dikur me dike që shihej pranë opozitës, edhe Agimin e konsideronin mbështetës të saj, pavarësisht se emri i tij nuk figuron në asnjë parti.
“Çdo ditë që vij në punë kam frikë se mund të humbas punën. Ata mendojnë se jam me opozitën dhe për këtë arsye trajtohem ndryshe. Është stresuese,” tha ai.
“Nuk do të rritem kurrë në pozicion pavarësisht sesa shumë punoj. Dua të largohem nga Shqipëria. E dua vendin tim, por nuk shoh të ardhme këtu,” u shpreh Agimi me një vështrim të trishtë.
Ai vazhdoi të shpjegonte se shumë vetë në departamentin e tij, përfshi dhe atë vetë, kanë kontrata afatshkurtra, dhe mund të pushohen nga puna në çdo moment për çfarëdo arsye, pasi këto kontrata hyjnë brenda periudhës së provës.
Sipas Agimit, kohët e fundit rreth 10 personave iu ndërprenë kontratat e punës për shkak të aktiviteteve të tyre të supozuara politike dhe lidhjeve me partitë opozitare:
“Erdhi një listë nga ministria, të gjithë u shkarkuan për arsye politike. Jetoj me frikën se e njëjta gjë do më ndodhë dhe mua, pavarësisht se jam i zoti në punën time.”
Ai foli për ‘spiunët’ që punojnë në të gjithë departamentet – persona që mbikëqyrin se çfarë bëjnë të tjerët, çfarë qëndrimesh politike kanë apo se në çfarë aktivitetesh marrin pjesë jashtë orarit të punës. Më pas këta ‘spiunë’ e çojnë informacionin në ministri, nga ku vjen urdhri për shkarkim për ata që nuk bindin me veprimet e tyre.
E pyeta Agimin nëse kjo ndodh vetëm në departamentin e tij, por ai qeshi dhe tregoi se kjo ndodh në çdo departament të çdo institucioni shtetëror:
“Kam shumë miq që punojnë në ministri të ndryshme apo në dhe insitutcione qeveritare, të gjithë jemi të detyruar ta bëjmë këtë, kjo është vetëm një pjesë e punës.”
Më pas bisedova me dy punonjës të policisë bashkiake, që janë nën juridiksionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Të dy më thanë se, pavarësisht se mbështesnin partinë opozitare, ata urdhërohen çdo mëngjes të shpërndajnë nëpër rrjete sociale materiale që promovojnë policinë bashkiake dhe Veliajn.
Njëri prej oficerëve thotë:
“E urrej, është shumë e bezdisshme. Çdo mëngjes ata na porosisin dhe na tregojnë çfarë duhet të shpërndajmë. Është marrëzi sepse të gjithë e dinë që unë jam me PD-në.”
Nga vëzhgimi i profileve në Facebook të 10 oficerëve të policisë bashkiake, rezultoi se në 7 ditët e fundit ishin shpërndarë në të gjitha profilet 8 lajme apo aktivitete të njëjta. Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre kishin ‘pëlqyer’ faqe në Facebook në lidhje me partitë opozitare, duke lënë të kuptohet se ata nuk mendonin njësoj si propaganda që po shpërndanin.
Mes këtyre materialeve të shpërndara kishte fotografi të Veliajt, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, Taulant Ballës apo të tjerë deputetë e politikanë të PS-së që marrin pjesë në aktivitetet e Bashkisë Tiranë dhe policisë bashkiake.
Ata më thanë se ndër faqet që i shtyjnë të pëlqejnë në Facebook janë faqja zyrtare e Partisë Socialiste, e kompanisë ajrore Air Albania, e televizionit privat të kryeministrit ERTV dhe faqen e ministres Elisa Spiropali.
Të dy punonjësit konfirmuan, gjithashtu, se gjatë votimit të 30 qershorit u thanë se duhet të shkonin në votime dhe se duhet të shtynin edhe miqtë dhe familjen për të votuar.
Prej vitesh tashmë, dyshohet se qeveria ka një departament të tërë të dedikuar për administrimin e reputacionit të partisë dhe figurave publike të saj në mediat sociale.
Në vitin 2016, u raportua se rreth 40 individë ishin të punësuar në zyrën e Kryeministrit dhe 23 të tjerë në Bashki, qëllimi i vetëm i të cilëve është të sulmojnë ata që kritikojnë qeverinë. Këta ‘trolls’ dyshohet se paguhen nga taksat e qytetarëve dhe kanë për detyrë t’i japin formë dhe të mbajnë gjallë propagandën e qeverisë dhe Partisë Socialiste, si dhe të shuajnë zërat kritikë.
Më tej, në prill 2019, Exit.al zbuloi se si Bashkia Tiranë kishte ngritur një rrjet më qindra profile false në Facebook, hapur në të njëjtën periudhë kohore, duke përdorur foto të personave të huaj pa asnjë lidhje më Shqipërinë, që komentonin në mbrojtje të Veliajt dhe sulmonin ata që kritikonin atë.
Një punonjës tjetër i qeverisë, që punon për Bashkinë Tiranë, më tha se ai është një mbështetës i vendosur i LSI-së. Pavarësisht kësaj, ai tregoi se është detyruar në disa raste të marrë pjesë në mitingjet e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të 30 qershorit, gjatë dhe jashtë orarit të punës. Nëse nuk merrte pjesë, ishte kërcënuar se do të largohej nga puna.
“Thjesht shkojmë, nuk ka diskutim. Është e detyrueshme, megjithëse më acaron.”
Punësimi i njerëzve dhe përdorimi i profileve të rreme për të bërë propagandën qeveritare është i përhapur në të gjithë botën.
Një raport i The Telegraph në vitin 2017 zbuloi se të paktën 30 qeveri kishin punësuar “ushtri tastieraxhinjsh” për të përhapur propagandën dhe sulmuar kritikët. Ndër këto shtete ishte Turqia, Rusia dhe Kina, të cilat përdorin komentues pro-qeveritarë, të paguar për të krijuar iluzionin se qytetarët mbështesin qeverinë.
Por qeveria Rama, Bashkia Tiranë dhe Partia Socialiste e kanë çuar këtë një hap më larg, duke detyruar nëpunësit civilë të shpërndajnë dhe të shkruajnë komente false për punën e qeverisë dhe bashkisë. 164 mijë nëpunësit civilë në gjithë vendin kthehen në një ushtri propagandistësh me një urdhër të vetëm.
Në një vend ku niveli i papunësisë është ndër më të lartët në Evropë, ku pagat mezi janë të mjaftueshme për të jetuar, dhe ku mbizotëron mosrespektimi i ligjeve dhe Kodit të Punës, ata që varen nga qeveria për të siguruar jetësën e tyre nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje.
Agimi e mbyll rrëfimin e tij:
“Ky presion na bën të gjithë të ndihemi sikur nuk kemi të drejtë të themi atë që duam ose të shprehemi. Ne nuk jemi të lirë, është si komunizëm – ka vetëm një parti.”
*Për të ruajtur identitetin dhe rrjedhën e shkrimit, emri ‘Agim’ është vënë nga redaksia.