Për shkak të epidemisë se Covid-19, të enjten, qeveria vendosi të përgjysmojë pagat e 3 muajve të ardhshme për zyrtarët e saj.
Vendimi, i publikuar të enjten në Fletoren Zyrtare (kliko këtu për të parë vendimin), parashikon se “deri në perfundim të epidemisë, por jo më shumë se 3 muaj” Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat do të marrin vetëm 50 për qind të pagës.
Pagat do t’i kthehen buxhetit të shtetit, për t’i kaluar fondeve të vendosura për përballimin e epidemisë së koronavirusit.
Njësoj do të paguhen me pagë të përgjysmuar edhe anëtarët e këshillave, bordeve dhe komisioneve të institucioneve të ndryshme publike dhe kompanive që janë me mbi 50 për qind kapital shtetëror.
Përjashtim në këtë pikë bëjnë vetëm anëtarët e këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të shëndetësisë dhe shërbimit social.
Njësoj me vendimin e qeverisë, përgjysmimin e pagave e vendosi sot edhe Kuvendi ku deputetët do t’i kthejnë gjysmën e pagave buxhetit të shtetit për fondin anti-Covid-19.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u ka kërkuar që diçka të tillë ta ndërmarrin edhe drejtuesit e 30 institucioneve të ndryshme.