Qeveria shqiptare ka vendosur të shpronësojë ndërtesën e projektuar nga arkitekti i njohur Maks Velo në Tiranë, sipas një deklarate për mediat nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Të mërkurën, ajo u tha mediave se “banorët do të shpronësohen dhe fasada e ndërtesës do të ristrukturohet nga Bashkia e Tiranës”.
Por ristrukturimi i fasadës nuk lidhet me planet e paraqitura për zonën, duke bërë që disa të dyshojnë nëse bëhet fjalë vërtetë për ristrukturim. Për më tepër, Bashkia ka deklaruar më herët se ndërtesa ishte dëmtuar nga tërmeti dhe duhet të prishej.
Fraza “ristrukturimi i fasadës” u përdor gjithashtu për të përshkruar prishjen përfundimtare të Maternitetit të Mbretëreshës Geraldine në mes të natës në fillim të vitit.
Ndërtesa me shtatë kate u ndërtua në 1976 dhe është Monument Kulture i Kategorisë II, ndërkohë që dikur në të gjendej shtëpia e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Në fillim të këtij viti, përmes një investigimi të përbashkët mes Citizens Channel dhe Exit Neës, u zbulua se Bashkia po planifikon ta prishë ndërtesën. Kryebashkiaku Erion Veliaj më pas e konfirmoi gjatë një dalje në Facebook me kryeministrin Edi Rama.
“Kjo ndërtesë do të shkatërrohet, ashtu si Materniteti,tha ai duke e konsideruar si ndërtesa e famshme shtatë-katëshe “e Bashkisë”.
Pavarësisht se ndërtesa ka qënë Monument Kulture që nga viti 2007, Bashkia e Tiranës mori leje nga Instituti i Ndërtimit për ta prishur , për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i Nëntorit 2019. Ky është i njëjti argument që u përdor për të prishur Teatrin Kombëtar dhe një pjesë të madhe të zonës së Kombinatit. Prishja e këtyre të fundit është subjekt i një çështje gjyqësore në zhvillim, ku banorët po luftojnë për të mbajtur shtëpitë e tyre dhe për të parandaluar privatizimin e të gjithë zonës.
“Rindërtimi” po ecën përpara edhe pse ekspertët e huaj raportohet se i kanë deklaruar banesat të sigurta. Për më tepër, inxhinieri origjinal i projektit, Orhan Sakiqi ka shprehur besimin e tij në sigurinë e ndërtesave në disa raste.
Dokumentet tregojnë se godina është pjesë e një tenderi prej 30 milionë eurosh dhe është përfshirë në listën e 14 objekteve arsimore që do të ndërtohen në Tiranë, si pjesë e programit të rindërtimit pas tërmetit. Problemi është se ndërtesa nuk do të përdoret si objekt arsimor.
Sipas planit të projektimit, aty do të ndërtohet një objekt për zyrat e administratës publike.
Banorët kanë frikë se prishja e ndërtesës Velo gjithashtu do të çojë në prishjen e një ndërtese në të majtë të saj për t’i hapur rrugë një ndërtimi 30-katësh në vend të saj. Në fakt, besohet se projekti në fjalë do të mbulojë një ngastër deri në 2,000 metra katrorë, por ndërtesa e ish-ATSH mbulon vetëm 225 metra katrorë, duke rritur frikën se prona të tjera aty pranë do të prishen gjithashtu.
Një çështje tjetër është se vendimi i Këshillit Bashkiak për prishjen e ndërtesës datonte në nëntorin e vitit 2020. Ndërkohë, dokumentet e prokurimit për projektin e ri datojnë në mars dhe gusht 2019, njëzet muaj të tërë para tërmetit që supozohet se e ka bërë ndërtesën të pasigurt.