Industria e lojërave të fatit qarkullon mbi 100 milionë euro në vit ndërsa lobingjet e saj ia kanë dalë gjatë viteve të fundit të ndikojnë të gjithë sistemin kushtetues të vendit, përfshirë imponimin e ndryshimit të disa ligjeve të rëndësishme. Por në paketën e re fiskale që gjendet aktualisht për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria ka propozuar një ulje tjetër në barrën fiskale të kësaj industrie, barrë që sakaq është shumë e ulët.
Projektligji “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin mbi të Ardhurat Personale” u prezantua nga qeveria si një favorizim për “biznesin e vogël”. Por krahas ndryshimit të tatimit mbi fitimet neto të biznesit të vogël, projektligji propozon që koncepti “e ardhur bruto” nga lojërat e fatit, të mos jetë xhiroja e kompanive të lojërave të fatit, por fitimet bruto që dalin pasi nga të ardhurat zbriten shpenzimet për pagesën e biletave fituese. Tarifa fiskale mbi lojërat e fatit mbetet 15%, por kësaj here, kjo do të jetë mbi fitimet bruto dhe jo mbi të ardhurat bruto.
Aktualisht nuk dihet se sa është pjesa e xhiros së lojërave të fatit që u shpërndahet lojtarëve të biletave fituese dhe rrjedhimisht nuk mund të llogaritet masa e uljes fiskale të përfituar nga kompanitë e lojërave të fatit. Por relacioni i Ministrisë së Financave që shoqëron projektligjin e paraqet ndryshimin si saktësim, ndërsa dështon të bëjë një vlerësim mbi pasojat financiare për buxhetin e shtetit.
Ministria e Financave është e detyruar nga kushtetuta që të bëjë vlerësim të pasojave në të ardhura nga çdo propozim ligjor me pasoja financiare.
Industria e bixhozit ka arritur të ndryshojë ligjet shumë shpesh gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa ka shtrirë veprimtarinë e vet në çdo cep pallati. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë mbi 3 mijë pika bastesh, më shumë se 1 pikë bastesh për afro 600 shqiptarë maxhorenë.
Aktualisht aktiviteti i lojërave të fatit nuk tatohet me tatim mbi vlerën e shtuar i cili është në masën 20% për shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve, por me tatim mbi xhiron në masën 15%.
Në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi moszbatimin e një neni që parashikonte rrallimin e pikave të basteve duke mos lejuar hapjen e tyre në një distancë më të vogël se sa 100 metra nga njëra-tjetra. Deputetë të maxhorancës dhe opozitës firmosën propozimin që zbatimi i këtij kriteri të shtyhej për në vitin 2019.
Propozimi i qeverisë u miratua në Kuvendin e Shqipërisë me votat e Partisë Socialiste më 21 qershor. Deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI nuk morën pjesë në votim, ndërsa protestonin kundër ligjit të posaçëm për Teatrin Kombëtar.
Paragrafi i dytë i pikës 7 të nenit 38
Ishte
“Të ardhurat e organizatorëve të lojërave të fatit tatohen me tarifën tatimore mbi të ardhurat bruto, sipas kuptimit dhe përcaktimit në ligjet respektive të fushës, ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, GmbH, nëpërmjet shoqërisë “OLG Project”, sh.p.k.”
Bëhet
“Tatimi mbi lojërat e fatit sipas nenit 52/2, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr.95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Tatimi mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.”
Ky artikull u publikua më parë tek Reporter.al.