Qeveria ka propozuar një projekt-ligj për kriminalizmin e shpifjes ndaj funksionarëve publikë e të zgjedhurve dhe dënimin e saj me gjobë deri në tre vjet heqje lirie. Ky propozim është miratuar para disa javësh, në fshehtësi nga mediat dhe publiku.
Projekt-ligji do të duhet të miratohet me shumicë të kualifikuar prej 84 votash nga Kuvendi, që kërkon përveç votave të PS-së edhe ato të aleatëve të tjerë të saj.
Tre vjet më parë, me propozimin e qeverisë Berisha, Kuvendi miratoi me konsensusin e të gjitha forcave politike dekriminalizimin e shpifjes dhe kualifikimin e saj si çështje civile.
Propozimi i ri i qeverisë pason disa qëndrime të përsëritura kritike ndaj mediave të Kryeministrit Rama. Dje në një konferencë për shtyp ai i quajti disa media ‘këneta”, pa përmendur emra konkretë.
Gjatë gjithë qeverisjes, ai i ka konsideruar kritikat dhe akuzat për korrupsion të medias ndaj qeverisë si sulme për interesa klienteliste apo politike të drejtuesve të mediave dhe gazetarëve të caktuar.