Qeveria Rama do të paguajë 5 milionë euro kompensim medias shqiptare për investimet në dixhitalizim. Ministria e Financave dhe Ministria e Shtetit për Inovacionin kanë dorëzuar në Kuvend projektligjin që parashikon mbulimin nga qeveria të kostove shtesë për investimet që kompanitë private shpenzuan apo do të shpenzojnë për kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike.
Fondi prej 5 milionë eurosh do të menaxhohet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).
AMA do të caktojë subjektet dhe shumën e parave që ata do të marrin.
Projektligji përjashton nga ky fond subjektet që kanë ndërprerë aktivitetin, që i është hequr licenca e transmetimit apo që kanë detyrime të prapambetura.
Kriteret e përfshira në projektligj për subjektet që përfitojnë nga ky fond janë të përgjithshme, duke e lënë vendimmarrjen në dorë të AMA-s.
Fondi prej 5 milionë eurosh do të ndahet kështu:
- Rreth 1 milionë euro do t’i jepet operatorëve lokalë dhe rajonalë të licencuar sipas ligjit. Sipas faqes zyrtare të AMA-s numërohen 70 subjekte;
- Rreth 2 milionë euro do të përdoren për të kompensuar investimin e shkuar dëm për shkak të dixhitalizmit, të operatorëve me eksperiencë në transmetimet dixhitale. (Nga ky fond parashikohet të përfitojnë Digitalb, Tring TV, Vizion Plus, Supersport);
- Rreth 2 milionë të tjerë do t’i jepet televizioneve historikë kombëtarë për investimet e nevojshme për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit nga analoge në numerike. Televizionet e licencuara kombëtarë janë dy rrjete të RTSH-së, Top Channel, TV Klan, Media Vizion dhe ADNT. Dy subjektet e fundit janë nërë televizione kombëtarë në janar të vitit 2017.
Televizionet Top Channel dhe TV Klan nuk kanë kosto shtesë sepse ata prej kohësh kanë kaluar nga transmetimet analoge në ato dixhitale.
AMA drejtohet nga Gentian Sala që prej nëntorit të vitit 2014.
Në janar 2017, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë (ILDKPKI) nisi hetimin e pasurisë së Zotit Sala, i cili akuzohet se gjatë detyrës si drejtor i AMA-s ka shumëfishuar pasurinë e tij.