Qeveria shqiptare akuzohet për manipulim të shifrave për ndihmën e dhënë për Covid–19

Nga Exit News
Qeveria shqiptare akuzohet për manipulim të shifrave për ndihmën e dhënë për Covid–19

Qeveria shqiptare në 19 mars shpalli se 16 milion euro do të shkonin për të gjithë qytetarët në nevojë. Fill pas saj Ministria e Mbrojtjes dha një tender të nxituar dhe më pas shpërndau ndihma që tashmë ekzistonin në rezervën e shtetit. Përfituesit ishin më pak se 200,000.

Kryeministri Rama njoftoi se më shumë se 400,000 individë dhe familje kishin përfituar nga ndihma shtetërore.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes i ka thënë Rrjetit Investigativ Ballkanik një tjetër shifër, që arrin gjysmën e asaj të Kryeministrit.

Më shumë donacione, sesa ndihmë shtetërore

BIRN pas llogaritjeve të saj sugjeron një tjetër shifër – janë 173,000 përfituesit nga pakot me ushqime – të cilat erdhën kryesisht nga donacione private apo të shoqatave të bamirësisë dhe jo nga qeveria shqiptare.

Nga këto 173,000 pako ushqimore:

–      Rreth 74,000 janë shpërndarë nga bashkitë

–      63,000 pako të dhuruara nga shoqata, biznese dhe individë

–      29,000 pako janë shpërndarë nga rezervat e shtetit

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes justifikoi mos përputhjen e shifrave të Ministrisë me ato të Kryeministrit, me argumentin se ky i fundit llogarit si ndihma edhe paketat e ushqimeve të paguara, dhurimet nga bizneset private dhe organizatat e bamirësisë.

Gjithashtu, pakot e shpërndara nga Bashkitë konsiderohen si të qeverisë, pasi fondi për to ka ardhur nga buxheti i shtetit, shton zyrtari i ministrisë i cili nuk ka dashur të publikohet emri i tij.

BIRN ushtroi të drejtën e lirisë së informacionit dhe pasi përllogariti të dhënat nga 12 prefektura, rezultoi se ndihma që qeveria ka dhënë për qytetarët nga arka e shtetit përbën vetëm 12% të ndihmave totale të shpërndara nga Ministria e Mbrojtjes dhe 11% e asaj që është raportuar nga Bashkitë.

Donacionet kishin një vlerë shumë më të lartë se kaq.

Tender urgjent, me rezervat tashmë plot

Ndihmat ushqimore të shpërndara nga qeveria u morën nga rezervat e shtetit, ku sipas inventarit të muajit mars 2020 që BIRN e ka parë, kishte:

400 ton miell – 80 ton oriz  – 80 ton sheqer – 70 ton makarona – 50 ton vaj – 50 ton fasule – 20 ton mish të konservuar – 5 ton kripë – 30 ton pastrues – 30,000 copa sapun

Pavarësisht kësaj, pas miratimit të programit të ndihmës nga qeveria në 19 mars, Ministria e Mbrojtjes dha një tender të nxituar me vlerë 105.7 milion lekë për blerjen e rezervave ushqimore.

Kompania Maqedonase që fitoi tenderin, Eurovia dorëzoi 30,000 pako ushqimore që ushtria i ruajti, raporton BIRN.

Tenderi i ushqimeve i dhënë për kompaninë Eurovia po hetohet nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme