Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim, drejtuesit e kompanisë Bechtel dhe ministrja e Insfrastrukturës Balluku kanë vizituar të shtunën zonën e ndërtimit të HEC-it të Skavicës.
Ambasadorja Kim e quajti këtë investim një “një shenjë e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për të thelluar marrëdhënie ekonomike midis dy vendeve tona”.
HEC-i i Skavicës nuk është një investim amerikan. Ai thjesht do të ndërtohet nga një kompani amerikane, e cila më parë ka ndërtuar në vend edhe rrugën Shqipëri-Kosovë.
Ndërtimi i HEC do të ndahet në dy faza, sipas projektligit të miratuar nga qeveria shqiptare në mars 2021 për “përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, inc.”.
Faza e parë, e cila përfshin matjet topografike, studimet hidrologjike e gjeoteknike, zhvillimin e strategjisë për realizimin e projektit, vlerësimin mjedisor e social, përcaktimin e projektit teknik dhe të kostove.
Kjo kontratë u nënshkrua më 5 korrik nga KESH dhe Bechtel. Shpenzimet për fazën e parë të projektit do të përballohen nga Shoqëria “KESH”.
Ndërsa projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të ndërtohet me një kredi të marrë nga qeveria shqiptare në bankën për zhvillim të Amerikës, Korporata Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DFC).
Bechtel u zgjodh nga qeveria shqiptare si kompani fituese pas shprehjes së interesit në ministrinë për infrastrukturën dhe energjinë.
Përpjekjet për ndërtimin e HEC-it të Skavicës
Qeveria ka hapur disa herë tenderin për ndërtimin e Skavicës, por ka dështuar të finalizojë një kontratë dhe është akuzuar disa herë për klientelizëm e korrupsion.
Qasja me hidrocentrale të vogla, përkrahur nga ish-ministri Ahmetaj, garantonte fitime të shpejta për investitorin, por eleminonte përfitimet në interesin publik për rregullimin e kasakadës së Drinit.
Tashmë do të ndërtohet një hidrocentral i vetëm, që do të jetë në pronësi të KESH-it de facto, përfitimet e së cilës i kemi shpjeguar ketu.
Në vitin 2016, qeveria miratoi ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla nga dy kompani turke, në kushte të mungesës së trasparencës dhe shtyrë nga një projekt i pakërkuar nga kompanitë vetë.
Ajo ngjalli kriticizëm pasi i dhuroi kompanive 8 pikë bonus në procesin e prokurimeve, e cila në dritën e negociatave të zhvilluara, krijoi dyshime të arsyeshme për marrëdhënie klienteliste.
Vetë kompanitë në intervista shpreheshin të bindura që do të fitonin dhe madje, kishin në plan privatizimin e hidrocentraleve të vogla përreth kaskadës së Drinit.
Por, ky projekt, fatmirësisht, nuk u realizua dhe në fund të majit të vitit të kaluar kryeministri Rama deklaroi se hidrocentralin e Skavicës do ta ndërtonim “me forcat tona”.