Qeveria shqiptare menaxhon vetë fondet e BE-së

Qeveria shqiptare menaxhon vetë fondet e BE-së

Në 25 mars 2014, Komisioni Evropian (KE) vendosi t’i japë qeverisë shqiptare pavarësi për menaxhimin e fondeve të BE-së (Vendimi i Komisionit C (20141890), 25 Mars 2014).

Këto fonde ishin kryesisht fonde të lidhura me projektit IPA. Ky vendim i KE-së u bazua në faktin se BE me anë të zhvendosjes së fondeve në duart e qeverive të vendeve kandidate për anëtarësim po përpiqet të ndërtojë kulturën e ndarjes së përgjegjësive.

Por, një investigim i Exit.al në bashkëpunim me qendrën e avokatisë ResPublika, tregon se qeveria shqiptare, tre vjet pas vendimit të Komisionit Evropian, ende nuk ka “korrigjuar” gabimet e gjetura gjatë auditimit të kryer në vitin 2011 dhe 2013.

Investigimi nisi kur Exit.al zbuloi se qeveria dështoi në hapjen e fondit të BE-së prej 2.8 milionë euro për krijimin e lehtësirave për shoqërinë civile dhe programin e medias për periudhën 2016-2017, i cili ishte pjesë e IPA 2016. Aplikimet e organizatave të shoqërisë civile duhej të hapeshin në tre mujorin e tretë të vitit 2016.

Në një letër të dërguar nga Komisioni Evropian (Ares (2017)1061452, 22, shkurt 2017) shkruhej se programi “pritej të fillonte në 2017, por thirrja për propozime ende nuk është hapur.” Ndërkohë që thirrja vazhdon të jetë e mbyllur edhe sot kur tashmë jemi në gjysmën e vitit.

Këto fonde, të cilat për shkak të vendimit të KE-së menaxhohen direkt nga qeveria shqiptare, ishin të parashikuar për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, të cilat duhet të merrinin pjesë në dialogun politik dhe të luanin një rol lobues, advokues dhe monitorues për zbatimin e reformave në sektorët kyç në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Duke qenë se thirrja për paraqitjen e propozimeve nuk është hapur ende, qeveria shqiptare praktikisht po vonon shpërndarjen e fondeve të BE-së në ndihmë të aktorëve të pavarur të medias gjatë këtij viti zgjedhor dhe të rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.

I gjithë qëllimi i programit për krijimin e lehtësirave për shoqërinë civile dhe për median e pavarur për vitin 2016-2017 ishte mbështetja e “dialogut politik” për zhvillimet e rëndësishme, i cili, sikurse ashtë vënë re nga publiku ka munguar në median shqiptare.

Në fjalë të tjera, një rast i vetëm tregon se menaxhimi i pavarur i fondeve të BE-së i kryer direkt nga qeveria shqiptare nuk është aspak në nivelin e standardeve të BE-së.

Më 22 maj 2017, KE në përgjgjie të kërkesës sonë për marrjen e Raportit Përfundimtar të Vlerësimit të Realizimeve 2011 dhe Raportit Përfundimtar të Auditit — të cilat janë baza e vendimit të KE-së për të lënë menaxhimin e fondeve IPA në duar të qeverisë shqiptare—u shpreh se këto raporte nuk mund të na i japë. Këtë vendim KE e argumentoi si më poshtë:

Raportet e auditit janë hartuar në mënyrë që të mund të shikohen kur sistemi kombëtar shqiptar të përmbushë kriteret dhe kushtet kyçe [të Zbatimit dhe të Rregullave Financiare]. Rekomandimet e këtyre raporteve janë ende në proces zbatimi nga autoritete shqiptare, në mënyrë që gjetjet me rrezik të lartë të korrigjohen.

Procedura është në vazhdim, sepse shërbimet përgjegjëse të auditit ende nuk kanë miratuar të gjitha veprimet e mëtejshme.

Me fjalë të tjera, gjashtë vjet pas Raportit Përfundimtar të Vlerësimit të Realizimeve, qeveria shqiptare ende po zbaton rekomandimet e KE-së; ende nuk ka ndrequr gjetjet me rrezik të lartë të cilat mesa duket janë arsyeja që KE nuk pranon të bëjë publike raportet e auditimit.

Por cilat mund të jenë këto gjetje me rrezik të lartë?

Ndoshta, korrupsion, keqadministrim, mashtrim, fallsifikim dokumentash— të gjitha arsye që i shkojnë për shtat qeverisë shqiptare.

Rezultatet e munguara si pasojë e vonesës së qeverisë në zbatimin e rekomandimeve të KE-së janë të qarta për këdo; fonde të cilat supozoheshin të shpërndaheshin në 2016 dhe 2017, në mënyrë që të ndihmonin shoqërinë civile për të informuar qytetarët për reformën në drejtësi, por edhe për tema si “zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe transparenca për shpenzimet e fondeve publike”!

Ndërkohë, mbetet e panjohur se sa fonde të tjera të BE-së menaxhohen nga qeveria shqiptare nën programin e IPA-s. Por, sidoqoftë, si mundet KE-ja t’i besojë një qeverie mbështetjen dhe finacimin e medias së lirë dhe kritike, kur e njëjta qeveri i detyron kompanitë e medias private, pavarësisht se sa afër janë me qeverinë të trasmetojnë propagandë politike falas?

Por kjo nuk mbaron këtu. Në rastin e blerjes së vilës së ambasadores së BE-së, burokracia e BE-së përdor fshehtësinë për të mbuluar vendimmmarrjen e vet.

Përveç arsyeve të rendituar më sipër, KE gjithashtu argumenton se ato nuk mund të bëjnë publike raportet e auditit sepse ato janë “informacione të klasifikuara”.

Por kjo është një gënjeshtër. Të dyja raporte janë të cilësuara si “të kufizuara”. Edhe ky përcaktim është një lloj klasifikimi por jo i nivelit që pretendon KE. Klasifikimi “i kufizuar” do të thotë se raportet kanë shpërndarje të kufizuar.

Ndaj Raporti i auditit të BE-së për qeverinë shqiptare nuk është i klasifikuar; ato thjesht nuk duan t’i bëjnë publike për publikun e gjerë.

Si përfundim, këto ngjarje të njëpasnjëshme tregojnë fatkeqësisht një strukturë të njohur: informim i dobët i vendimmarrjes, monitorim i dobët i zbatimit dhe fshehja e vazhdueshme pas ruajtjes së informacionit dhe fshehtësisë, në mënyrë që të parandalojë dyshimin e qytetarëve evropian dhe Parlamentit Evropian — paratë e të cilëvë shpenzohen (ose jo) në mënyra jo të besueshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>