Qeveria shqiptare letër Këshillit të Evropës, nuk i kemi mbyllur ne emisionet e Rakipit e Krastës

Nga Alice Taylor
Qeveria shqiptare letër Këshillit të Evropës, nuk i kemi mbyllur ne emisionet e Rakipit e Krastës

Qeveria shqiptare ka mohuar pretendimet e Këshillit të Europës se qeveria kishte ushtruar presion mbi televizionin News24 për të larguar nga puna dy gazetarët kritikë ndaj saj, Ylli Rakipi dhe Adi Krasta.

Në letrën dërguar KiE, qeveria i konsideroi këto pretendime të pabaza, duke shtuar se “liria e shprehjes dhe e medias janë disa nga arritjet më të rëndësishme në Shqipëri dhe janë të sanksionuara në Kushtetutë”.

Ata pretendojnë se qeveria respekton lirinë e mediave dhe i konsideron ato ‘gur themeli të demokracisë në vendit’. Ata thanë që nuk kanë ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjnë në asnjë politikë të mediave.

Qeveria i quajti të ‘pabazë’ alarmin e ngritur nga KiE dhe vunë si referencë reagimin e Bordit të Gazetarëve të News24, i cili pretendoi se mbyllja e emisioneve ishte vendosur për shkak të “interesave të opinionit publik”. News24 gjithashtu pretendoi se politika dhe qeveria nuk do ndikonin kurrë në linjën e tyre editoriale.

Në gusht të vitit 2019, News24 njoftoi mbylljen e dy shfaqjeve televizive më të njohura të saj – Të Paekspozuarit të Ylli Rakipi, dhe A Show/ Adi Krasta. Të dy programet ishin kritike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, dhe Rakipi aktualisht është përfshirë në një numër çështjesh gjyqësore me Ramën.

Si shkak për mbylljen e emisioneve, në shumë media u shkruajt se ishte ‘kërcënimi’ që presidenti i News24 Irfan Hysenbelliu kishte marrë nga Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më pas, gazetari Artur Cani zbuloi se Rama ishte takuar me Hysenbelliu për të kërkuar largimin nga puna të Rakipit, duke paralajmëruar se Krasta do të ketë të njëjtin fat.

Kjo gjë u raportua në platformën e njoftimeve të Lirisë së Mediave në KiE dhe u kategorizua si një Kërcënim Shtetëror, duke patur një efekt kufizues në lirinë e mediave.

Gjatë kohëzgjatjes shtatëvjeçare të qeverisë së Ramës, Shqipëria ka rënë gjithsej 18 vende në Indeksin e pavarur të Reporterëve pa Kufij të Botës. Në raportin e vitit 2019, u vërejtën probleme të tilla si përkeqësimi i lirisë së shtypit dhe një rritje e sulmeve ndaj gazetarëve.

Sipas raportit, 2019-ta  ishte një vit që qeveria rriti përpjekjet për të vënë në kontroll median me justifikimin e parandalimit të lajmeve të rreme. Paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje” u votua gjatë dhjetorit 2019, “duke kufizuar liritë e shprehjes, informacionit dhe shtypit dhe duke shkelur praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Këto ligje rrisnin censurën dhe gazetarët ishin më të prekur nga presioni i qeverisë. Zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të “përkeqësonte më tej situatën e lirisë së shtypit në një vend ku qeveria kufizon rregullisht aksesin e gazetarëve në informacione zyrtare dhe kontrollon tregun e televizioneve përmes dhënies së licencave të transmetimit.”

Qeveria u pyet gjithashtu për përdorimin e tërmetit të nëntorit 2019 si një justifikim për të arrestuar dhe ndaluar gazetarët dhe për të frenuar më tej lirinë e shtypit. Gjatë pandemisë COVID-19, pretendime të ngjashme u bënë pasi gazetarët e kishin të vështirë të aksesonin informacione, u ndaluan të ishin pjesë e konferencave për shtyp dhe u kufizuan të raportonin pranë spitaleve.

Rama u kritikua gjithashtu për përdorimin e kompanisë Vodafone, ku me anë të një mesazhi të regjistruar paraprakisht në celularët e njerëzve, i kërkonte qytetarëve të marrin masa paraprake kundër COVID-19, duke përfshirë edhe të mbrohen nga media dhe lajmet e rreme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>