Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë azere të energjisë, e cila zotërohet dhe kontrollohet nga regjimi azer, që është i përfshirë në mitdhënie, pastrim parash dhe vrasje.
Këtë vit kompania shtetërore azere e naftës dhe gazit OCAR njoftoi se do të përgatiste një studim fizibiliteti për ndërtimin e një gazjellësi 40 kilometra të gjatë në Shqipëri, përmes degës së saj SOCAR Balkan. Në njoftim thuhej edhe se projekti inxhinierik për gazsjellësin që do të lidhte Fierin me Vlorën do të jepej paraprakisht.
Njoftimi në fjalë erdhi pas disa rasteve të tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve, pas Memorandumit të Mirëkuptimit të vitit 2017 për zhvillimin e masterplanit të Shqipërisë për gazin, si dhe pas Memorandumit të Mirëkuptimit të vitit 2014 për mbështetje në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për Gazjellësin Trans-Adriatik (TAP). Kompania SOCAR zotëron 20 për qind të aksioneve të konsorciumit TAP – pjesa tjetër zotërohet nga BP (20 për qind), Snam S.p.A (20 për qind), Fluxys (19 për qind), Enegas (16 për qind) dhe Axpo (5 për qind).
Damian Gjiknuri, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka kryer disa udhëtime në Azerbajxhan, i shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë të qeverisë, dhe ka shprehur vlerësime të mëdha për marrëdhënien profesionale me qeverinë azere dhe me kompaninë SOCAR. Ai ka thënë se këto projekte janë “shumë të rëndësishme” për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Apo jo?
Në fakt, jo dhe aq.
Ndërkohë që qeveria shqiptare mburret për “gazifikimin e vendit” dhe për mundësitë e shumta që këto bashkëpunime do të sjellin, ajo që mbetet ende me pikëpyetje është se kush përfiton vërtet nga këto projekte. Le ta lëmë mënjanë faktin se gazi natyror, edhe pse pak më i mirë se karburantet e tjera fosile, është i dëmshëm për ambientin dhe rezulton në nivele jashtëzakonisht të larta të mbetjeve që lëshon. Le të rrimë tek diçka tjetër. Le të flasim për kompaninë SOCAR.
SOCAR është kompani nafte dhe gazi, krejtësisht në zotërim të shtetit. Zyrat e saj qendrore janë në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. Azerbajxhani vetë prodhon gaz, por një pjesë e mirë e gazit që SOCAR shet, blihet me çmim të lirë nga kompania Shell dhe pastaj shitet deri në dyfishin e çmimit.
Kompania SOCAR është praktikisht në zotërim të familjes Alijev, kryefamiljari i së cilës, Ilham Alijev, ka qenë në pushtet që prej vitit 2003. Alijevi e drejton vendin me grusht të hekurt, duke bërë që Azerbajxhani të klasifikohet si shtet “jo i lirë”, si një ndër vendet me korrupsionin më të lartë në botë, një vend ku kundërshtarët politikë dhe gazetarët burgosen, torturohen dhe abuzohen shpesh. Vetë Alijevi dhe qeveria e tij kanë qenë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e dhunshme të gazetares investigative malteze Daphne Caruana Galizia.
Caruana Galizia u vra me një bombë në makinë pranë shtëpisë së saj në qytezën Bidnija në Maltë. Pak më parë ajo kishte botuar një investigim që përfshinte kompaninë SOCAR, qeverinë azere, një central energjie elektrike me gaz, si dhe zyrtarë të lartë të Partisë së Punës së Maltës.
Pak pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Partia e Punës e Maltës nënshkroi një marrëveshje me vlerë 1 milion euro me SOCAR-in, ku ra dakord të importonte gazin natyror nga SOCAR për 10 vite. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2015 dhe importi nisi në muajin prill të vitit 2017, kohë kur Malta nisi ta paguante gazin me dyfishin e çmimit të tregut. Në Maltë, kompania SOCAR as nuk e prodhon gazin, as e përpunon atë, as merret me transportin dhe as ofron kurrfarë shërbimi veç faturave me çmime të fryra, që shkojnë në dëm të taksapaguesve maltezë.
Më pas doli në dritë se Ministri i Energjisë Konrad Mizzi dhe Drejtori i Kabinetit Keith Schembri kishin ngritur dy kompani offshore pak pasi kishin fituar zgjedhjet në 2013. Këto kompani kishin deklaruar se prisnin të merrnin secila nga 1 milion euro në vit nga një kompani e tretë, që quhej 17 Black, e regjistruar në Dubai. Në vijim, në fillim të nëntorit, u zbulua se kompania 17 Black zotërohej nga biznesmeni maltez Yorgen Fenech dhe se ajo kishte marrë pagesa deri në 1,1 milion euro nga një punjonjës sigurie azer. SOCAR mohoi ta njihte këtë person.
Përveç këtyre, u zbulua se anëtarët e qeverisë që ishin përfshirë në këtë aferë kishin bërë disa vizita në Azerbajxhan, pa njoftuar publikun, dhe se anëtarë të familjes Alijev dhe anëtarë të qeverisë malteze kishin llogari bankare në një bankë private në Maltë.
Daphne Caruana Galizia publikoi se Banka Pilatus përdorej nga anëtarë me pushtet të familjes Alijev për të ruajtur shumë të mëdha parash. Menjëherë pas këtij publikimi, pronari i bankës, Ali Sadr Hasheminejad, u pa duke dalë nga dera e pasme e bankës me dy valixhe me të holla. Pak më vonë një avion privat, pa pasagjerë, u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Maltës drejt kryeqytetit azer Baku. Pas 10 ditësh, kompania VistaJet, që zotëronte avionin, mori 1 milion euro sponsorizim nga Agjencia e Turizmit e Maltës, pa kurrfarë arsyeje. Banka Pilatus është mbyllur tashmë dhe pronari i saj Ali Sadr është duke vuajtur një dënim prej 125 vjetësh në një burg në SHBA për pastrim parash dhe mashtrime financiare në shkallë globale.
Një vit më parë një grup gazetarësh investigativë të OÇRP botuan investigimin “Lavatriçja e Azerbajxhanit”. Ata zbuluan ekzistencën e një rezerve parash prej 2,9 milion eurosh, që përdoreshin për të përmirësuar imazhin e Azerbajxhanit në fushën e të drejtave të njeriut në disa vende të Bashkimit Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO. Investigimi vërtetoi se përmes katër kompanive guackë të regjistruara në Britaninë e Madhe, regjimi i Azerbajxhanit kishte pastruar para dhe i kishte përdorur ato për të paguar politikanë evropianë për një periudhë dyvjeçare. Dyshime të tjera u ngritën edhe kundër disa anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE). Në hetimin që pasoi, shumë nga këto dyshime dolën të ishin të vërteta. Gjithsej 13 anëtarë u përjashtuan pas dëshmive për mitmarrje dhe pranim dhuratash nga qeveria azere. Pas përfundimit të hetimit, APKiE kaloi një rezolutë që parandalon përsëritjen e të tilla ngjarjeve.
Dje, Transparency International i dërgoi një letër Parlamentit Evropian, ku bënte thirrje për një hetim të plotë rreth dyshimeve për cenim të integritetit dhe demokracisë në Evropë dhe në institucionet e saj nga ndërhyrjet e Azerbajxhanit.
Atëherë, pse vallë Shqipëria bën marrëveshje me këtë njerëz? Azerbajxhani është një shtet me reputacion të keq për dhunën, korrupsionin, mitdhënien dhe paratë nën dorë për politikanë në vende të ndryshme, në këmbim të marrëveshjeve të biznesit apo mbështetjes pubike. Prandaj edhe nuk mund të mos e shtroj pyetjen: Ç’punë ka Shqipëria me ta?