Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar asistencë për strategjinë e matjes së energjisë duke shqyrtuar mundësinë e një partneriteti publik-privat për vendosjen e matësave të ri smart meters.
Ministria synon të rrisë nivelin e arkëtimeve duke ngritur një operator matje dhe duke vendosur matësa më të saktë elektronikë.
Kërkesë-asistenca, e publikuar në buletinin e prokurimeve publike, do të paguhet nga një kredi prej Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe prej saj kërkohet edhe:
Vlerësim ekonomik për intalimin e smart meters për kategori të ndryshme të konsumatorëve duke caktuar edhe kohën për zbatimin e këtij sistemi matjeje dhe vlerësim të prezantimit të mundshëm të investimeve në sektorin privat përmes PPP apo skema të ngjashme për sistemin smart metering.
Puna asistencës teknike parashikohet të nisë në tetor të këtij viti dhe do të zgjasë deri në gusht 2020.
Në katër vitet e fundit, sipas Institutit të Statistikave, prodhimi i energjisë elektrike pothuajse u dyfishua nga 4,7 në 8,5 GW/h, por humbjet në rrjet nuk u reduktuan me të njëjtën prirje.
Teksa vitet e fundit konsumi i energjisë ka qenë në rritje, humbjet në rrjet nuk janë reduktuar më shumë se 23%.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSHEE) deklaroi për vitin 2018 mbi 500 milionë euro (65.7 miliardë lekë) arkëtime.
OSSHEE në mbështetje të Bankës Botërore ka patur si objektiv uljen e humbjeve në 16.5% brenda vitit 2021, por prej vitit të shkuar është kërkuar rishikimi i këtij objektivi me justifikimin se “sistemi i shpërndarjes është 40-vjeçar” duke nënkuptuar këtu se kërkohen më tepër investime.