Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) shembi me 10 kilogramë eksplozivë një ndërtesë 6-katëshe te Astiri. Pamjet spektakolare të shpërthimit, të regjistruara me dronë, IKMT i shpërndau në rrjetet sociale.
Ndërtesa në Unazën e Re quhej Egi-Center dhe muajin e fundit strehoi 70 viktima nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët ankohen se kanë ngelur pa strehë.
Egi-Center prekej nga gjurma e projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe, më saktësisht lotit të parë që përkon me rikonceptimin e Sheshit Shqiponja nga një rrethrrotullim në një kryqëzim me nënkalime.
Shembja e saj ishte njoftuar ditë më parë dhe ishte pjesë e aksionit të nisur ditën e djeshme, ku u shembën edhe 5 ndërtesa të tjera.
Aksioni i sotem i IKMT nga nje tjeter kend, per prishjen e godines 6 kateshe me shperthim te kontrolluar
Gepostet von Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit – IKMT am Freitag, 10. Januar 2020
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj e shpërndau në Twitter duke e përcjellë me mesazhin “Tirana nuk ndalet”.
Tirana NUK ndalet! ✌️#UnazaRe 🚧 #Tirana100 💯 pic.twitter.com/V435xej1FT
— Erion Veliaj 🚴♂️🌳⚽️🇦🇱 (@erionveliaj) January 10, 2020
Dje zoti Veliaj, i cili më herët i ka quajtur banorët e Unazës së Re shpellarë, tha se protestat e tyre për dëmshpërblim ishin false dhe për hir të opozitës.
Përdorimi i eksplozivit dhe spektakolarizimi me dronë dhe regji televizive bëhet njëkohësisht me komentin e kryebashkiakut Veliaj se kauza e banorëve që kërkonin dëmshpërblim do të binte si ngrehinat e tyre pa leje. Në fakt, jo të gjitha ndërtesat ishin pa leje. Për ndërtesat pa leje banorët kishin përfunduar kërkesat për legalizim. Qeveria anuloi procesin dhe u prishi shtëpitë në shkelje të të drejtave të njeriut, pa dëmshpërblim.
Shembja e Egi-Center e çon në 41 numrin e ndërtesave të shembura për projektin e Unazës së Re. Siç Exit News ka analizuar projekti parashikon shembjen edhe të rreth 200 ndërtesave të tjera. Një mënyrë e tillë shembjesh të shoqëruara me deklaratat e zotit Veliaj duket se synojnë frikësimin dhe demoralizimin e banorëve që protestojnë për dëmshpërblim.
Projekti për Sheshin Shqiponja u ndryshua dhe tenderua disa herë pasi në tenderin e parë, kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar dokumentet.