Qeveria ka vendosur të blejë 25,6 milionë euro karburant për furnizimin e automjeteve, ngrohjes dhe nevojave të tjera të institucioneve dhe agjencive shtetërore për 2-3 vitet e ardhshme, përfshi ministritë, policinë, drejtoritë dhe agjencitë e zhvillimeve bujqësore, burgjet, spitalet, hekurudhat, peshkimin, doganat dhe komandës së forcës detare.
Kjo është blerja më e madhe e zhvilluar në mënyrë të përqendruar dhe do të realizohet përmes shtatë garave të veçanta, të cilat janë hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në fund të korrikut, me afat të fundit të paraqitjes së ofertave 12 shtator 2019.
Shtatë garat, e quajtura zyrtarisht “lote”, janë:
- Loti I – Furnizim me naftë për automjete, afat 2 vjeçar, fondi 4,7 milionë euro (580 milionë lekë);
- Loti II – Furnizim me naftë për automjete, afat 3 vjeçar, fondi 12,5 milionë euro (1,5 miliardë lekë);
- Loti III – Furnizim me benzinë për automjete, afat 2 vjeçar, fondi 400 mijë euro (48 milionë lekë);
- Loti IV – Furnizim me benzinë për automjete, afat 3 vjeçar, fondi 4 milionë euro (500 milionë lekë);
- Loti V – Furnizim me karburant për ngrohje dhe përdorim industrial, afat 2 vjeçar, fondi 990 mijë euro (120 milionë lekë);
- Loti VI – Furnizim me karburant për ngrohje dhe përdorim industrial, afat 3 vjeçar, fondi 146 mijë euro (17 milionë lekë);
- Loti VII – Furnizim me naftë F76 (karburant për anijet e komandës detare), afat 2 vjeçar, fondi 2,7 milionë euro (334 milionë lekë).
Procedura e tenderimit është me “marrëveshje kuadër” e cila nuk detyron blerjen e gjithë sasisë së parashikuar, por detyron që blerjet të bëhen vetëm te kompania me të cilën lidhet kontrata.
Që kur u krijua në vitin 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara – agjenci nën varësinë e Ministrit të Brendshëm – ka zhvlluar një numër prokurimesh për blerje karburanti, por me fond shumë herë më të vogël.
Gara e Lotit II me fond rreth 12,5 milionë euro është gara më e madhe e zhvilluar ndonjëherë, gati tre herë më e madhe se garat e mëparshme.
Përtej afatit të pazakontë 3 vjeçar të tenderit, shqetësimi është një specifikë teknike që kufizon konkurrencën në të. Sipas specifikimeve për kapaciteteve teknike të ofruesit (pika 1) thuhet se kompanitë “duhet të paraqesin dëshmi për furnizime të ngjashme gjatë 3 viteve të fundit, në vlerë jo më pak se 40% të vlerës së fondit limit të lotit”.
Kështu, për shembull, për Lotin II, fondi limit i të cilit është 12,5 milionë euro, kriteri plotësohet vetëm nga kompani që kanë pasur kontrata furnzimi me vlerë rreth 5 milionë euro. Ky përcaktim lë në garë vetëm një kompani: firmën Kastrati.
Sipas të dhënave të Open-Corporates, Kastrati rezulton një nga kompanitë kryesore furnitore të institucioneve publike lokale dhe qëndrore me 245 kontrata me vlerë rreth 4,7 milionë euro. Duke qenë se jo të gjitha pagesat mund të jenë bërë publike nga Open Data, mund te mendohet se Kastrati e ka kaluar kufirin e furnizmimit me 5 milionë euro karburant për institucionet publike.
Pas Kastratit, furnitori i dytë më i madh duket se është grupi Gega me 34 kontrata me vlerë rreth 1,9 milionë euro, pastaj kompania A&T me 105 kontrata me vlerë rreth 1 milionë euro dhe Bolv-Oil me 13 kontrata me vlerë rreth 902 mijë euro.
Kjo do të thotë se edhe në tenderin për lotet 1 dhe 4, respektivisht 4,7 dhe 4 milione euro, mund të marrin pjesë vetëm kastrati dhe Gega. Por duke qenë se kompania Gega është vënë së fundi nën sekuestro për evazion fiskal, mbetet që në tre lote për furnizim total prej 21.2 milionë euro me gjasa të ketë vetëm një kompani që të kualifikohet: Kastrati.