Organizatat mjedisore njoftuan këtë javë se Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta nuk rrezikohet më nga projekti i Mabetex për të ndërtuar atje një resort të stërmadh turistik. Qeveria është tërhequr nga mbështetja e propozimit dhe pak ditë më parë Komiteti i Investimeve Strategjike thuhet se e ka refuzuar kërkesën e kompanisë, e cila drejtohet nga ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli.
Përmes një njoftimi në Facebook, Albanian Ornithology Society (Shoqata e Orintologjisë Shqiptare) tha se kjo ishte një fitore e madhe pas përpjekjeve dy-tre vjeçare për të bindur autoritetet për dëmet që do t’i shkaktoheshin mjedisit nga ndërtimet.
Në vitin 2017 kompania Mabetex, e njohur për projektet ndërkombëtare të ndërtimeve dhe e drejtuar nga biznesmeni dhe politikani Pacolli, propozoi idenë për të marrë në zotërim zona toke në parkun e Divjakës dhe Karavastasë me qëllim ndërtimin e dhjetëra komplekse vilash, hotelesh dhe pallatesh. Projekti propagandohej të kapte koston e investimit prej rreth 1 miliardë dollarësh, shifra që në fillim i tundonin banorët e zonës për ta pëlqyer projektin.
Projekti përfitonte nga lehtësitë fiskale dhe ligjore që krijon ligji i investimeve strategjike i miratuar nga qeveria Rama në vitin 2015. Ndër lehtësirat ishin edhe përfitimi i tokës publike nëse investimi ishte madhor për turizëm.
Mirëpo angazhimi i mjedisorëve në diskutimet publike për të treguar efektet negative dha ndikim dhe banorët iu bashkuan qëndrimit kundër. Çështja u ndërkombëtarizua për faktin se zona e Divjakë-Karavastasë është strehë e 10 lloje shpendësh të rrallë dhe që njëkohësisht është zonë e mbrojtur me statuse ndërkombëtare Ramsar, IBA dhe KBA. Ajo është kandidate për Emerald dhe Natura 2000, pavarësisht se Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.
Nga shpendët më simbolikë që zënë strehë në park është Pelikani Kaçurel, një specie e rrezikuar të zhduket.
Projekti i Mabetex binte ndesh me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe zonat e mbrojtura. Ai binte ndesh me udhëzimet e BE-së dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria si Konventa e Bernës, Espoos, Specieve Shtegtare, Aarhus dhe konventës së Larmisë Biologjike.