“FETO është një organizatë e kontrolluar nga shërbime sekrete të disa vendeve, dhe përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë. Kemi kërkuar kthimin e anëtarëve të FETO-s. Nuk dëshirojmë që Shqipëria të jetë portë sigurie për FETO-n. Mendojmë se prania e FETO-s është një rrezik e kërcënim për sigurinë e të ardhmen e Shqipërisë”.
Kështu u shpreh sot ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavuşoğlu gjatë konferencës për shtyp me zëvendës ministrin e jashtëm Gent Cakaj.
Ministri turk e përgëzoi Shqipërinë për vendimet e marra kundrejt anëtarëve të organizatës FETO në vend. “Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim të vijojmë më tej” , – tha ai.
Me siguri, Ministri Çavuşoğlu i referohet ekstradimit të mësuesit turk Harun Çelik, i cili u dëbua në janar 2020 nga Shqipëria, megjithëse kishte kërkuar azil pasi i rrezikohej jeta në Turqi. Pas ekstradimit, gjykata turke dënoi me burg mësuesit Harun Çelik. Qeveria shqiptare u kritikua nga një sërë institucionesh ndërkombëtare për dëbimin e mësuesit turk.
Ekstradimi i anëtarëve të organizatës FETO dhe mbyllja e shkollave turke të drejtuara nga kjo organizatë në Shqipëri dhe në të gjithë botën ka qënë vazhdimisht një kërkesë e Presidentit turk Erdogan, që pas grushtit të shtetit në vitin 2016.
Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare ishte ndër të parat që u solidarizuan me kërkesat e Presidentit Erdogan pas grushtit të shtetit në korrik 2016.
Në nëntor 2016, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin e përdorimit të emërtimeve dhe simboleve turke në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri. Kërkesa e ambasadës kishte në shënjestër rrjetin e kolegjeve turke në Shqipëri të cilat janë nën pronësinë e organizatës FETO.
Në maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi se njerëzit në Shqipëri, të cilët dyshohen si të lidhur me FETO-n mbahen nën vëzhgim.