Qeveria vendos privatizimin e TEC-it të Vlorës përmes një procedure të dyshimtë

Nga Arjan Balla
Qeveria vendos privatizimin e TEC-it të Vlorës përmes një procedure të dyshimtë

Qeveria Rama do të japë me koncesion 20-vjeçar Termocentralin e Vlorës. Më 31 dhjetor, Ministria e Energjisë hapi tenderin me vlerë rreth 58,7 milionë euro. Tenderi do të mbyllet më 28 shkurt 2018.

Dokumentet e tenderit përcaktojnë se koncesioni që ofron qeveria është i tipit ROOP, që do të thotë se koncesionari do ta rehabilitojë TEC-in, do ta marrë atë në pronësi dhe do ta shfrytëzojë për 20 vjet, për ta transferuar pastaj pronësinë sërish tek qeveria.

Qeveria ka vlerësuar se koncesionari privat duhet të realizojë investime me kosto afërsisht 58,7 milionë euro për vënien në punë të TEC-it, të cilat përfshijnë riparimin e një defekti në sistemin e ftohjes, përgatitjen e centralit për të punuar me gaz—TEC i Vlorës është projektuar dhe ndërtuar për të punuar si me naftë ashtu edhe me gaz, por aktualisht është i përgatitur për të punuar me naftë—si dhe shtrimin e një tubacioni gazi që do të lidhë TEC-in me pikën e gazsjellësit TAP në afërsi të Fierit.

Vlera e parashikuar nga qeveria e investimit duket në pamje të parë e fryrë pasi riparimi i sistemit të ftohjes është vlerësuar të kushtojë rreth 2-3 milionë euro, ndërsa përgatitja për të punuar me gaz kërkon disa instalime dhe ndryshime minimale që nuk kushtojnë më shumë se 1-2 milionë euro. Kostoja e shtrimit të tubacionit të gazit në një terren fushor është relativisht e ulët, por vlerësimi i investimit të lidhjes së TEC-it Vlorë me rrjetin TAP, sipas master planit të rrjetit të gazit për Shqipërinë, luhatet nga disa milionë euro në rreth 24 milionë euro, në varësi të zgjidhjeve dhe parametrave të ndryshëm që mund të përdoren.

Nuk dihet ende nëse qeveria do të marrë përsipër të blejë energjinë e prodhuar nga termocentrali apo kompania private do të duhet të gjejë klientë jashtë vendit. Sipas Top Channel, burime të ministrisë janë shprehur se fillimisht do të priten ofertat, e në bazë të tyre do të negociohen kushtet më të përshtatshme.

Ndonëse qeveria ka shpallur tender ndërkombëtar, duket se ajo ka përfshirë në të procedura që praktikisht e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen e kompanive të huaja. Sikurse denoncoi publikisht deputeti demokrat Agron Shehaj, procedurat e konkurrimit parashikojnë një vizitë të detyrueshme në TEC në Vlorë nga të gjitha kompanitë e interesuara më datën 15 janar.

Vetëm pjeëmrrësit në këtë vizitë do të kenë të drejtë të marrin të dhënat dhe informacionet e nevojshme në lidhje me TEC-in të cilat janë të domosdoshme për të përgatitur ofertat teknike dhe financiare. Kjo do të thotë se praktikisht kompanitë e huaja duhet që brenda dy javëve të para të janarit, periudhë kryesisht pushimesh, duhet të njihen me tenderin dhe të vendosin të çojnë një përfaqësues në Vlorë.

Historia e Termocentralit të Vlorës

Termocentrali i Vlorës u planifikua nga qeveria Nano në vitin 2004, por nisi të ndërtohej vetëm në vitin 2007, pas kundërshtive fillestare të qeverisë Berisha që erdhi në pushtet më 2005-ën. Punimet zgjatën dy vjet më shumë se planifikimi dhe  përfunduan në fund të vitin 2011. Ndërtimi kushtoi rreth 103 milionë euro të financuar nga kredi nga Banka Botërore, Banka Europiane për Ndërtim dhe zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe nga vetë KESH me 10 milionë euro. Fuqia e instaluar e TEC-it është 97 MW dhe ai është projektuar për të punuar me naftë dhe me gaz.

Ndërtimi i TEC-it u bë nga një kompani e specializuar italiane Maire Tecnimont, por ai nuk u mor asnjëherë në dorëzim nga KESH. Ndërtimi mbaroi në dhjetor 2011, dhe pak ditë para se të kryhej prova e marrjes në dorëzim, si rezultat i një stuhie, u dëmtuan tubat e sistemit të ftohjes duke shkaktuar një dëm rreth 2-3 milionë euro.

KESH refuzoi ta merrte në dorëzim TEC-in pas dëmtimit, ndërkohë që kontraktori italian pretendoi se nuk ishte përgjegjës për defekti e shkaktuar nga një aksident jashtë kontrollit të saj. Në mënyrë të njëanshme, por me mbështetjen e Bankës Botërore, qeveria shqiptare vendosi të sekuestronte fondin e garancisë së vendosur nga kontraktori dhe të mos bënte pagesën e këstit të fundit të punimeve. Kështu lindi një konflikt mes qeverisë dhe kontraktorit i cili vazhdon edhe kësaj ditë si në sistemin gjyqësor shqiptar ashtu edhe në arbitrazhin ndërkombëtar.

Ndërkohë, Termocentrali i Vlorës nuk është vënë asnjë ditë në shfrytëzim. Përveç mosmarrëveshjes me ndërtuesit, një nga problemet serioze që ndeshi TEC-i që në fillim ishte se kostoja e prodhimit të energjisë me naftë ishte më e lartë se sa kostoja e blerjës së energjisë në tregjet ndërkombëtare, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës.

Ndërkohë, punimi me gaz, që ka kosto prodhimi të energjisë ndjeshëm më të ulët se karburanti, ka qenë i pamundur deri tani për shkak të mungesës së furnizimit me gaz të vendit—deri tani Shqipëria nuk ka patur asnjë lidhje me rrjetet ndërkombëtare të furnizimit me gaz dhe asnjë lloj investimi për shfrytëzimin e gazit të lëngëzuar që mund të importohet me anije të posaçme.

Për këto arsye, që nga viti 2012 deri më sot, TEC-i i Vlorës ka qenë në gjendje konservimi, punonjësit kujdesen për mbajtjen në gjendje pune të centralit. Kostoja e mirëmbajtjes së tij kushton rreth 1 milionë euro në vit, ndërkohë që kostoja vjetore e shlyerjes së huasë së marrë për ndërtimine tij arrin në thuajse 10 milionë euro në vit—raporti i fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në tabelën, 79, faqe 177, pohon se vetëm për vitin 2017, TEC-i i Vlorës ka rritjen më të lartë të stokut të detyrimeve, me rreth 9,72 milionë euro. Në total, borxhet e TEC-it, që mbulohen nga qeveria, kapin vlerën e rreth 30 milionë eurove.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>