Qeveria ka vendosur zgjatjen me 10 vjet të përdorimit të trojeve në bregdet nga ana e resortit luksoz Green Coast, në pronësi të Grupit Balfin.
Këshilli i Ministrave ka votuar për disa ndryshime në VKM Nr.544, të datës 27.7.2016, për zgjatjen nga 20 vjet në 30 vjet të perjudhës së përdorimit të truallit në bregdet.
Ndryshimet në pikën 2 të VKM sugjerojnë se qeveria ka zgjeruar edhe hapsirën e dhënë resortit për shfrytëzim, duke iu referuar një shtojce baskëngjitur vendimit, të cilën nuk e gjetëm.
Po ashtu, qeveria ka shtuar një tjetër pikë në kontratë që “në mënyrë përjashtimore” i jep Green Cost të drejtë të kërkojë shtim të truallit në përdorim në çdo kohë.
Një gjë e tillë gjendet e sanksionuar si vijon:
“2.1.1 Përjashtimisht, kontrata mund të rishikohet me kërkesë të investitorit strategjik “Green Coast”, në rast se kërkohen të shtohen sipërfaqe plazhi në përdorim, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar, sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur këtij vendimi.”
“Green Coast” ka për investitor “Balfin Group”, një korporatë financiare që bashkon disa kompani, ku përfshihen dhe dy prej qendrave më të mëdha tregtare, QTU dhe TEG.
Nën petkun e “investimeve strategjike” qeveria nxorri një ligj në 2014, me anë të të cilit qeveria u ka dhënë tokë publike një grupi biznesmenësh favorit të saj.
Të njëjtin vit, Këshilli i Kombëtar i Territorit (KKT) i dha kompanisë “Green Cost”, të drejtën për të ndërtuar, mbi 500 rezidenca private në Palasë, fillimisht, në një sipërfaqe totale prej 18 ha, si dhe të drejtën e përdorimit, për njëzet vjet, të brigjeve në Plazhin e Dhralesë.
Tre vjet më pas, KKT-ja miratoi një tjetër leje. Kompania fitoi të drejtën për të shtuar edhe nëntë vila të tjera, por dhe një hotel njëqind e njëzet dhomash me pesë yje. Sipërfaqja e truallit u zmadhua me tre hektarë, ndërsa koeficenti i shfrytëzimit për ndërtim, me 30%. Numri i kateve mbi tokë, u rrit me një, ndërsa, nën tokë, deri në tre.
Para një muaji, një investigim nga Reporeter.al zbuloi se qeveria shqiptare ka ndërtuar me fonde publike infrastrukturën e kompleksit Green Coast, që përfshin një pistë helikopterësh dhe një mol jahtesh.