Qeveria zgjeroi Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit pa vendim të KKT

Nga Gerard Gega
Qeveria zgjeroi Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit pa vendim të KKT

Gjykata Administrative e Apelit shfuqizoi Vendimin e vjetshëm të Këshillit të Ministrave për zgjerimin e parkut kombëtar të Malit të Tomorrit nga 24,723 në 26,106 hektarë.

Apeli e gjeti VKM-ën të miratuar “pa ndjekur procedurat administrative” duke nxjerrë në pah një sërë anashkalimesh nga ana e Ministrisë së Mjedisit, ku ndër më kryesoret është mungesa e një vendimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Parku kombëtar në Tomorr është shpallur zonë e mbrojtur që në vitin 1996. Asokohe kishte sipërfaqe 4,000 hektarë, por kjo sipërfaqe iu zgjerua në vitin 2012 në 24,723 hektarë.

Zona kategorizohet me shkallë të II-të të nivelit të mbrojtjes, që përjashton shfrytëzimet zëniet dhe aktivitetet intensive të njeriut.

Vitin e shkuar, qeveria vendosi ta zgjeronte edhe më tej parkun në Tomorr duke e bërë 26,106 hektarë.

Synimi ishte që përmes shkallës së mbrojtjes që i aplikohet zonës të ndalohej kështu aktiviteti i guroreve që deri vjet ishin jashtë parkut.

Mirëpo, sikur tregohet në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, të cilin Exit.al e shqyrtoi, Ministria e Mjedisit dhe qeveria e morën këtë vendim duke anashkaluar procedurat:

  • Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk morën mendim nga Bashkia Skrapar, nuk kryen as konsultim publik me komunitetin e zonës, pronarët privatë dhe grupet e interesit.
  • Propozimi i Ministrisë së Mjedisit kaloi në Këshillin e Ministrave pa pasur vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
  • Ministria e Mjedisit nuk e mbështeti propozimin me studime paraprake apo të thelluara nga komuniteti shkencor.
  • Këshilli i Ministrave e mori vendimin pa argumentuar vlerat e biodiversitetit që u kërkua të mbrohej.

Nenin 36 i ligjit nr.81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura” thotë:

1. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore.

2. Propozimi për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konsultohet paraprakisht me komunitetin vendas, me pronarët, pronat e të cilëve, sipas rastit, përfshihen ose hiqen nga sipërfaqja e zonës, me subjektet që ushtrojnë veprimtari brenda zonës, me institucionet shkencore, me organet e qeverisjes vendore ku shtrihet zona dhe argumenton nevojën e ndryshimit.

Në rastin e zgjerimit të parkut kombëtar të Malit të Tomorrit, Ministria e Mjedisit anashkaloi KKT-ën dhe konsultimet me të gjitha kategoritë e përmendura në ligj.

Ndërkohë, nëse në vitin 2012 qeveria e kishte zgjeruar parkun duke respektuar të gjitha procedurat administrative dhe duke mbështetur vendimin me studime shkencore.

Në rastin e fundit, Ministria e Mjedisit i ka anashkaluar procedurat duke e dërguar propozimin direkt në Këshill të Ministrave dhe duke e mbështetur atë vetëm me një relacion me 5 fletë, pa konsultime, studime apo opinione nga bota akademike.

Asgjë nuk e pengonte Ministrinë dhe qeverinë që të ndiqnin të gjitha hapat e parashikuara në ligj për këtë çështje.

Qeveria i ka patur të gjitha mundësitë të nxiste dhe kryente studime të thelluara për gjithë zonën, qoftë edhe atë jashtë parkut ku aktiviteti i guroreve i ka shkaktuar dëme të rënda peizazhit natyror.

Që prej vitit 2017 Ministria e Mjedisit është përpjekur në mënyrë të pasuksesshme që të mbyllë aktivitetin e dhjetëra guroreve jashtë parkut kombëtar të Malit të Tomorit.

Ministria pati vendosur masa pezullimi të aktiviteteve, por pezullimet u hodhën poshtë nga gjykatat, kryesisht me argumentin se kompanitë ishin të licencuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>