Qeveria do të paguajë me rreth 13 milionë euro pagat minimale të mbi 60 mijë të punësuarve në biznesin e vogël. Lajmin e njoftoi Kryeministri Rama të martën përmes një deklarate në Facebook.
“[…] Sot kam dhënë miratimin për dhënien e pagesës mujore për ata që e kanë edhe hallin më të madh, të punësuar apo vetëpunësuar, familje që jetojnë me ndihmë ekonomike, apo të papunë.”
Kryeministri pohoi se për shkak të informalitetit prej biznesit të vogël rezultojnë vetëm “731 milionë lekë të deklaruara si paga mujore”, por ai siguroi se qeveria do të mbulonte edhe një pagë shtesë.
“[…] do të shkojmë përtej këtij numri, […] do ia japim edhe gruas së atij kryefamiljari, pagën e luftës. Në këtë mënyrë çdo i regjistruar me apo pa pagë si i vetëpunësuar nga familja, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë lekë të reja të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin do të bëhet 1.57 miliardë lekë, do të japim dyfishin e shumës së deklaruar. Duke kompensuar të gjithë të punësuar apo vetëpunësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë për shkak të luftës.”
Nga fondi prej 1,57 miliardë lekësh, ose ndryshe rreth 13 milionë euro, pritet të përfitojnë 60,440 persona, të cilët Kryeministri u shpreh se “nuk do lihen vetëm”.
Nga shifrat nënkuptohet se qeveria do të marrë përsipër pagën minimale prej rreth 26 mijë lekësh.
Për shkak të epidemisë së koronavirusit biznesi i vogël ka mbyllur aktivitetin duke krijuar vështirësi ekonomike.
Në Shqipëri deri më sot janë diagnostikuar 123 të infektuar me koronavirus, prej së cilëve 5 kanë vdekur dhe 10 janë riaftësuar.