Qeverisje rrumpallë: milionat e harxhuara kot për sistemin e certifikatave

Qeverisje rrumpallë: milionat e harxhuara kot për sistemin e certifikatave

Qeveria Rama vepron gjithmonë në mënyrë të rastësishme dhe gjithmonë në qendër të saj është propaganda. Çdo gjë bëhet në mënyrë amatore, të pastudiuar e të pa planifikuar.

Mund të gjesh projekte apo programe qindra milionë euroshe të cilat janë miratuar pa asnjë studim, pa asnjë analizë, pa asnjë diskutim ekonomik, teknik apo administrativ. Ndonëse ky problem është më i hershëm, qeverisja Rama është reduktuar në një qeverisje krejtësisht private, ku çdo gjë përcaktohet nga reagimet, instiktet dhe impulset momentale të udhëheqësve.

Rasti më i fundit i kësaj qasjeje është çështja e certifikatave. Ndërsa Bashkia Tiranë sapo ka kontraktuar qindra mijëra euro për teknologji të re për nxjerrjen e ceritifikatave, qeveria sapo vendosi t’i bëjë certifikatat të panevjshme. Ndërkohë nuk dihet se çdo të ndodhë me miliona dollarët e kontraktuara.

Pak muaj më parë kryebashkiaku Veliaj ngriti shqetësimin e radhëve dhe kostove që qytetarët përballojnë për nxjerrjen e certifikatave dhe premtoi lehtësimin e mënyrës së nxjerrjes së tyre.

Zgjidhja që ai afroi ishte projekti e-kioskë: vendosja e kioskave elektronike vetëshërbyese në pika të ndryshme të qytetit. E-kioskat do të jenë të lidhura me sistemin elektronik të gjendjes civile, dhe çdo qytetar mund të printojë vetë certifikatën e tij.

Nuk dihet si u arrit në këtë zgjidhje, dhe nuk ka asnjë studim apo analizë të bërë publike, sikurse nuk diheh se si u përgatit projekti, por fakti është se më 29 gusht 2019, Bashkia Tiranë hapi tenderin 200 milionë lekë për këtë projekt.

Zyrat e gjendjes civile dhe regjistri elektronik i shtetasve, përfshi edhe shërbimin e dhënies së certifikatave, administrohen dhe janë në varësi të qeverisë qendrore – zyrat e gjendjes civile vetëm sa operojnë fizikisht pranë njësive vendore. Për këtë arsye është e paqartë se përse ky projekt iu besua Bashkisë Tiranë.

Sidoqoftë, pa kaluar pak javë nga hapja e tenderit për vetëprintimin e certifikatave, Kryeministri Rama shpalli se certifikatat nuk do të duhen më fare, pasi qeveria po planifikon ndryshimin rrënjësor të përdorimit të dokomenteve të gjendjes civile.

Më 5 tetor 2017, Kryeministri lajmëroi fillimin e projektit për heqjen e 24 dokumenteve me të shpeshtë që u kërkohen shtetasve nga institucionet shtetërore për ofrimin e shërbimeve të ndryshme nnaj tyre. Në listën e dokumenteve që nuk do të nevojitent më janë edhe certifikatat personale dhe familjare.

Me këtë rast, Kryeministri u shpreh:

“Qytetarëve nuk duhet tu kërkohen më certifikata. Të refuzojnë çdo kërkesë të çdo zyre për certifikatë me letër. Janë hequr certifikatat e printuara personale dhe familjare. Zyrat e shtetit duhet ta printojnë në moment përmes bazës së të dhënave e-Albania dhe pa asnjë qindarkë. Gjithashtu janë hequr vërtetimet për pension apo për karta shëndeti. Qytetarëve u është nxirë jeta këto 27 vite nëpër radha apo rrugë të gjata për të marrë copa vërtetimesh”.

Është e paqartë se ç’do të bëhet me tenderin 200 milionësh tani që nuk do të ketë më pothuajse fare nevojë për certifikata.

Por historia e amatorizmit dhe qasjeve rastësore plotësohet edhe me një fakt tjetër.

Dy vjet më parë qeveria kishte shpenzuar fonde në një tjetër projekt në lidhje me certifikatat.

Më 15 Maj 2015, Kryeministri Rama prezantoi krijimin e portalit online të shërbimeve e-Albania, financuar me një kredi 32 milionë dollarë të Bankës Botërore. Një nga shërbimet e këtij protali ishte edhe printimi i certifikatave online.

Në prezantimin e projektit, Kryeministri u shpreh se nëpërmjet projektit e-Albania do të eliminohej korrupsioni nëpër sportele dhe do të kursehej koha dhe mundi i qytetarëve:

“Portali është pjesë e një projekti që lidhet me programin e kalimit nga një shtet që shërben me njerëz, në një shtet që shërben online.

Njerëzit nuk do të kenë nevojë që të shkojnë sa një zyrë në zyrën tjetër, por do t’i marrin shërbimet online. Gjithashtu ky projekt sjell reduktimin e shumë kostove si ai i kohës, parave, e të tjerë”.

Sidoqoftë, deri tani ajo që është e sigurtë deri tani është se nga paratë e qytetarëve qeveria ka shpërdoruar miliona dollarë për këtë problem.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>