Qindra hektarë lulishte të betonizuara, qytetet po mbeten pa hapësira të gjelbra

Nga Geri Emiri
Qindra hektarë lulishte të betonizuara, qytetet po mbeten pa hapësira të gjelbra

Qytetet shqiptare janë populluar dendur pas viteve’ 90, duke pasuar një bum ndërtimesh të pakontrolluara dhe përqendrim në qendrat urbane të vendosura në rajonin perëndimor të vendit.

Hapësirat e gjelbra konsiderohen si kontribuesit kryesorë në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimaterike, ndikimeve në shëndetin publik dhe nxitjen e mirëfunksionimit urban. Nga analizimi i 4 prej qyteteve kryesore, Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, u zbulua se që prej vitit 2007 janë humbur disa qindra hektarë hapësira të gjelbra.

Nga analizimi i pamjeve satelitore dhe ballafaqimi në terren i kryeqytetit për vitet 2007-2020, rezulton se kanë humbur 52.58 hektarë gjelbërim dhe sipërfaqja ekzistuese vlerësohet në 237.96 hektarë, referuar zonës që përfshihet brenda Unazës së Madhe.

Të dhënat që u gjetën gjatë zbatimit të projektit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona”, një platformë  alternative për monitorimin e sipërfaqeve të gjelbra, tregojnë se edhe qytetet e tjera kanë pësuar tkurrje të ndjeshme të hapësirave të gjelbra.

Infografikë – Raporti i sipërfaqeve të gjelbra të humbura në 4 bashki dhe atyre ekzistuese. Burimi: Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Mileukontakt. Grafika: Geri Emiri/ Amfora Production

Analiza që është bazuar brenda rrethit urban të qyteteve gjeti se Durrësi në vitet 2015-2020 ka humbur 8.7 hektarë gjelbërim, duka pasur ekzistues vetëm 23.53 hektarë. Shkodra në vitet 2015-2020 gjithashtu ka humbur 7.55 hektarë hapësira të gjelbra dhe ka ekzistuese 10.71 hektarë.

Ndërsa Elbasani në vitet 2015-2020 ka humbur 0.16 hektarë dhe ka ekzistuese vetëm 3.15 hektarë. Ekspertët e mjedisit dëshmojnë se situata lidhet me betonizimin pa kriter të qyteteve dhe investimet e pakta të bashkive për krijimin e hapësirave publike të gjelbra.

“Sektori i gjelbërimit ka pasur buxhet dhe nuk ka pasur qëndrueshmëri. Bashkitë tenderojnë çdo vit miliona lek për gjelbërimin, por ne nuk e shikojmë atë në territorin e qyteteve tona”, shpjegon Elvis Çela, drejtor ekzekutiv i Qendrës EPER.

Nga analizimi i pamjeve satelitore kryeqyteti përfaqëson fenomenin që ka kapluar shumë prej qyteteve, betonizimin masiv të hapësirave publike dhe atyre private. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave përgjatë vitit 2020 u miratuan 12.2% më shumë leje ndërtimi për godina të reja në krahasim me vitin 2019. Shumica e tyre, 54.2% i referohen ndërtimeve për banim.

 Ndërtimet e reja në Tiranë po përqendrohen në qendrën e qytetit, duke ulur sipërfaqet e gjelbra. Foto: Geri Emiri, tetor 2020

“Tek ndërtimet e reja duhet kërkuar që të vendoset brezi i gjelbër sepse përveç pastrimit të ajrit, shërbimeve në ekosistem, eliminon edhe zhurmat”, analizon Florenc Allmuça, përfaqësues i Klubit Ekologjik Elbasan.

Mania për dekore dhe fasada kthen në shterpë gjelbërimin urban

Sheshet kryesore të qyteteve pas projektit të “Rilindjes urbane” i zëvendësuan drurët me palma, duke shtuar edhe hapësirat e betonizuara. Në qytetin e Shkodrës ekspertët e Qendrës së Informacionit Aarhus, vërejtën praninë e pemëve të papërshtatshme në raport me shërbimet që ofrojnë në zonat ku janë mbjellë, duke ju referuar palmave dhe bimëve dekorative.

“Këto pemë nuk rezultojnë me aftësi të lartë as në përthithjen e Dyoksidit të Karbonit, as në çlirimin e oksigjenit dhe as në kursimin energjetik”, shkruan raporti i përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, nën drejtimin e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Mileukontakt Shqipëri.

Qendra historike e qytetit të Durrësit u transformua rrënjësisht, duke u mbizotëruar nga mermeri i bardhë dhe palmat. Foto: Geri Emiri

Palmat klasifikohen si mbartëse të shumë sëmundjeve dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike, duke ulur shërbimet që ato ofrojnë. Mbjellja e fidanëve apo drurëve të rinj rezulton një tjetër praktikë e gabuar e cila ul nivelin e shërbimit të tyre ndaj ekosistemit.

“Bashkitë nuk kanë inventare, manuale dhe rregullore për sa i përket sektorit të gjelbërimit. Për rrjedhojë mbjelljet në qytetet tona janë të pa mbështetura teknikisht dhe të orientuara nga dekori”, analizon eksperti i mjedisit, Elvis Çela.

Përgjatë mbrëmjeve të nxehta të gushtit të vitit 2018, eskavatorët e Bashkisë Durrës hodhën në tokë  rreth 25 pemë rrapi, të mbjella aty 50 vite më parë, në kuadër të një projekti për rivitalizimin e zonës që i kushtoi buxhetit të “Rilindjes Urbane” 2.5 milionë euro dhe i zëvendësoi pemët disa metra të larta me drurë të rinj.

“Në parim një pemë e vogël ka një efekt më të ulët në shërbimet në ekosistem krahasuar me një pemë më të rritur sepse ka të bëjë pikë së pari me sasinë më të madhe të oksigjenit që çliron dhe dyoksidit të karbonit që sekuestron. Zëvendësimi i 25 pemëve të rrapit në grup është i pa justifikueshëm teknikisht. Pemët duhet të qëndronin aty ku ishin”, shpjegon Çela.

Prerja e drurëve pa pyetur komunitetin ka krijuar një klimë jo miqësore ndaj mjedisit. “Kur bënim matjet afër ndonjë subjekti, dilnin me vrap e na thonin mos e prisni atë pemën sepse e kam mbjellë vetë. Kishin marrë tmerr nga prerja e pemëve nga bashkia”, përshkruan Florenc Allmuça situatën në qytetin e Elbasanit.

Në korrik të vitit 2017 “Parku Rinia” në Elbasan ju nënshtrua rikonstruksionit që zgjati mbi dy vjet. Projekti shtoi hapësirat prej betoni dhe krijoi struktura prej guri e hekuri që humbën një sipërfaqe të gjelbër të parkut.

Krahasimi i pamjeve satelitore të Parkut Rinia në Elbasan, përpara dhe pas rikonstruksionit

Për aktivistët mjedisor betonizimi ka ulur ndjeshëm sipërfaqet e gjelbra në qytete. “Kontribuesi kryesor është shtimi i betoni, që automatikisht lidhet me korrupsionin lokal sepse është absurde nëse i referohemi vetëm Parkut Rinia, që nga park është kthyer në park-beton”, komenton Allmuça.

Bashkitë e marra në analizë rezultojnë se projektet e gjelbërimit kryesisht i kanë në formë ndërhyrjesh emergjente apo rikonstruksioni, se sa një program i dedikuar shtimit të hapësirave të gjelbra.

Ekspertët e mjedisit rekomandojnë hartimin e rregulloreve që lidhen me investimet në gjelbërim, mirëmbajtjen e tij dhe harmonizimin me zhvillimin urban, duke ngritur edhe fidanishte në pronësi të bashkisë që ndihmojnë më mbjelljen e drurëve që i përshtaten klimës së qytetit.

Gjetjet tregojnë se përveç blloqeve të banimit, nevojë të lartë për investime ne gjelbërim kanë edhe shkollat e gjimnazet. Palmat në oborrin e gjimnazit “28 Nëntori”, më i rëndësishmi në Shkodër, janë tharë prej kohësh dhe ekspertët rekomandojnë ndërhyrjen e menjëhershme për shtimin e gjelbërimit, që pothuajse mungon.

Gimnazi “28 nëntori” në qytetin e Shkodrës, në oborrin e së cilës mbizotërojnë palmat. Foto: Geri Emiri

Gjelbërimi kthen pas miliona lekë

Gjelbërimi nuk shërben thjesht si një hapësirë shplodhëse apo rekreative në qytet, por realizon ato që njihen si “shërbime ekosistemi”, pra sjell përfitime për banorët. Së pari drurët thithin Dyoksidin e Karbonit dhe çlirojnë oksigjen, duke reduktuar ndotësit dhe përmirësuar cilësinë e ajrit.

Nga ana tjetër për sa i përket konservimit të energjisë drurët urbanë ulin ndjeshëm shpenzimet për energji elektrike sidomos gjatë periudhave të nxehta. Ato përmirësojnë qarkullimin e ajrit dhe krijojnë më shumë lagështi, duke ulur edhe fuqinë e rrezeve të diellit.

Përmbytjet janë kthyer prej kohësh në kryefjalën e Shkodrës dhe Durrësit, duke përmbytur rrugët brenda qytetit dhe fshatrat sa herë që bie shi intensiv. Gjatë viteve të fundit katër institucione publike, mes të cilave Bashkia Tiranë u përmbytën kur uji depërtoi në bodrume duke shkaktuar miliona lekë dëme.

Kapaciteti ujëmbajtës i drurëve shërben si një “sfungjer” në qytet, pasi nëpërmjet gjetheve dhe degëve grumbullojnë ujin e shiut, duke ulur shpejtësinë e rrjedhjes përmes gjetheve dhe rrënjëve që parandalojnë mbingopjen e tokës.

Infografikë – Përfitimet kryesore ekonomike nga drurët urban në 4 bashki. Burimi: Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Mileukontakt. Grafika: Geri Emiri/ Amfora Production

Nëse do i referohemi kryeqytetit, vetëm për shërbimet e renditura më lart që drurët ofrojnë, përfitimi i banorëve të tij është në disa miliona euro në vit. Përfitimet vjetore të 16.671 drurëve urbanë arrijnë një vlerë totale rreth 4.9 milion euro (ose 603,133,694 lekë), ku mesatarisht çdo pemë vlerësohet se kontribuon me 293 euro (ose 36,178 lekë) në vit.

Në një vit Tirana kursen nga çlirimi i Oksigjenit që çlirojnë drurët 238 mijë euro (ose 29.351.125 lekë), ndërsa nga thithja që i bëjnë Dyoksidit të Karbonit përfiton 53 mijë euro (ose 6.534.959 lekë) në vit.

Por gjelbërimi urban në zonën brenda Unazës së Madhe ruan edhe energjinë diellore, që në një vit përkthehet në vlerën 228 mijë euro (ose 28.228.043 lekë), ndërsa përmes kapacitetit ujëmbajtës përkthehet në rreth 4.4 milion euro (539.019.567 lekë).

7 organizatat e mjedisit të përfshira në projektin “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona” “Përfshirja perkomandojnë që përfitimet që sjellin drurët urbanë të merren në konsideratë në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes në nivel lokal.

Nga ana tjetër ato theksojnë nevojën e përfirjes të durëve urbanë të llojit, rrap, panjë, blir, shelg apo gështenjë që ofrojnë shërbime të larta në krahasim me drurët dekorativ, ku kryefjala e investimeve të fundit publike ka qenë “palma”.

SHËNIM:

*Ky shkrim synon njohjen e gjendjes së hapësirave të gjelbra në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Ai u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër projektit “Mushkëri të Gjelbra për Qytetet Tona”,  zbatuar nga Co-PLAN dhe “Mileukontakt Shqipëri”, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>