Në Teatrin Kombëtar, mbrëmjen e së shtunës, zhurmat e gjeneratorëve u shuan jo vetëm nga fjalimet e zakonshme të protestuesve në shesh, por edhe nga duartrokitjet për një shfaqje.
Dje, qindra vetë mbushën sallën e pluhërosur të teatrit pasi qendron një vit e gjysëm i mbyllur me urdhër qeverie.
Artistët, të cilët kërkojnë që ndërtesa e teatrit të mos shembet dhe të mos tjetërsohet prona publike rreth saj kishin rregulluar gjithçka, që nga pasditja, për të kthyer shfaqje në teatër e për të grumbulluar fonde që do t’i shërbejnë vazhdimësisë së protestave.
Atë që nuk e kishte bërë Ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë, për një vit e gjysmë, e bënë vetë artistët. Një shfaqje u vu për publikun.
Aktori i mirënjohur Mehdi Malka rivuri në skenë veprën “Marr guximin” të Vangjel Kozmës, pesë vite pasi e kishte interpretuar atë në skenën e Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli,
Që prej 24 korrikut, ndërtesa e Teatri Kombëtar nuk ka rrymë—qeveria e ka ndërprerë pasi protestuesit thyen rrethimin e dhunshëm policor dhe u futën në mjediset e teatrit.
Megjithatë, dy gjeneratorë të vendosur nga artistët, punuan edhe mbrëmjen e së shtunës për t’i dhënë dritë skenës.
Qindra qytetarë kishin ardhur për të ndjekur shfaqjen. Kishte aq shumë njerëz saqë përveç ndenjëseve dhe llozhave të tejmbushura, ata mbushën edhe korridoret e sallës.
Në pritje të fillimit të shfaqjes, qytetarët shpërthyen në brohoritje në kor: “Duam shfaqje!”, “Rroftë liria!”, “Poshtë diktatura”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”.
Mes spektatorëve kishte intelektualë, artistë, qytetarë të thjeshtë por edhe shumë të rinj. Disa prej tyre kishin sjellë buqeta me lule për aktorin Malka.
Malka zgjodhi të mos e nisë shfaqjen në skenë, por nga publiku.
Emocionet ishin të pafund kur projektorët ndoqën thirrjen e Malkës: “A do t’i rregullojë ndokush ato drita?!”.
Nga fundi i sallës, ai iu drejtua më pas skenës duke interpretuar monologun e fuqishëm Marr guximin.
Teksa ngjiti shkallët, të cilat nuk i ngjiste prej kohësh si aktor, Malka ishte dukshëm i emocionuar, aq sa këmbët iu drodhën dhe mori pak kohë që mos t’i dridhej dhe zëri.
Por sikurse shpreson gjithmonë çdo artist, ngrohtësia e duartrokitjeve i dhanë siguri Malkës të mos kaplohej nga emocionet, por ta vazhdonte rrjedhshëm intepretimin e tij.
Me fjalët e Kozmës, nga fryma e Malkës kumbuan metaforat, me fjalë popullore dhe satirë për gomerët, derrat, këlyshët, trapat, apo vrimat në ujë, të cilat kanë trazuar jetën e çdo shqiptari duke mbërthyer shtetin, shtetarët, politikanët dhe partitë.
Në mes të shfaqjes, ai u ndal nga emocionet teksa rendi të thoshte “Unë marr guximin t’ju them…”.
Edmond Budina e të tjerë u ngjitën në skenë ta përqafonin, duke e ditur se shfaqja nuk kishte përfunduar ende, por për t’i dhënë zemër të vazhdonte.
Duartrokitjet e shoqëruan pa reshtur, ndërsa skena dhe abazhuri i stërmadh mbi sallë merrte ngjyra të ndryshme.
Pas interpretimit, spektatorët e lanë Malkën të përlotej në skenë duke duartrokitur mbi 10 minuta. Artisti puthi skenën—sikur kishte bërë Edmond Budina tre ditë më parë, kur atë e rimorën artistët—dhe inkurajoi qytetarët për të vashzuar të mbrojnë teatrin.
Që pas 24 korrikut, kur mjediset e Teatrit Kombëtar u rimorën nga artistët, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj kanë nisur një fushatë përçarëse ndaj artistëve, duke keqpërdorur për propagandë pro prishjes së teatrit mendimet thëna prej tyre në vite.
Por e vërteta është se pushteti nuk po i bind dot më qytetarët me fjalët dhe propagandën e tij. Mbrëmja e së shtunës tregoi se arti i vërtetë dhe qytetaria triumfojnë mbi frikën që zgjon autokrati.