Qindra qytetarë të Tiranës ndezën mbrëmjen e së premtes qirinj në shenjë solidariteti me dhimbjet e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nisma e thirrur në rrjetet sociale u përkrah nga qindra qytetarë, mes tyre edhe njerëz të njohur të televizionit si gazetarë, aktorë apo dhe këngëtarë. Nisi në Sheshin Nënë Tereza ku qytetarëve që iu bashkuan, iu shpërnda qirinj. Më pas u vazhdua me një ecje të heshtur drejt Sheshit Skënderbej.
Në formë simbolike, poshtë shtatores së Skënderbeut u ndezën qirinjt për të kujtuar viktimat që u shuan nga tërmeti i fortë.
Tërmeti i magnitudës 6.4 la 50 të vdekur, mbi 900 të plagosur dhe qindra ndërtesa të dëmtuara. Për rreth 3 ditë, Shqipëria u mbërthye në tragjeditë që kaluan rreth 20 familje në Durrës dhe Thumanë, atje ku ishin përqendruar dhe humbjet më të mëdha të jetëve njerëzore.
Familjet që u goditën nga tërmeti: Broshka, Gjana, Hajdarmataj, Lala, Meçja, Misho, Qato, Zeneli, Cakoni, Cara, Cuka, Cupi, Greku, Hoxhali, Preci, Steneci, Vata.