Dhomat e bëra gati për pacientët me koronavirus në repartin e Infektivit në QSUT nuk kanë kushtet e duhura higjenike dhe mjekësore.
Televizioni Ora News ka siguruar një video të dhomës ku ndodhet i shtruar një prej të prekurve me koronavirus në QSUT, ku duket qartë mungesa e pajisjeve dhe higjienës.
Babë e bir, të identifikuarit e parë me koronavirus në Shqipëri, kanë telefonuar sot redaksinë e Ora News, duke kërkuar ndihmë për shërbimin e dobët mjekësor që po marrin.
Ata thanë se kushtet në dhomat ku po rrinë janë skandaloze, nuk ka ngrohje dhe mungesë shërbimi. Sipas tyre, mjekët po tregohen neglizhentë dhe pas mjekimit të parë, ata nuk janë kujdesur më.
Më 27 shkurt, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu qetësoi qytetarët duke deklaruar se vendi është i përgatitur për të përballuar dhe luftuar në rast se në Shqipëri identifikohen persona të prekur nga koronavirusi.
Po ashtu Kryeministri Edi Rama ka përsëritur disa herë se përgatitjet e Task Forcës për të përballuar koronavirusin janë në përputhje me protokollet e OBSH-së.