Qytetarët e Tiranës padi kolektive ndaj UKT-së

Qytetarët e Tiranës padi kolektive ndaj UKT-së

Qytetarët e Tiranës kanë vendosur të padisin në mënyrë kolektive ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, për shkak të mungesës së tejzgjatur ujit në shumë zona të Tiranës.

Nisur fillimisht nga Nisma Thurje, padia deri tani ka marrë mbështetjen e qindra qytetarëve.

Muajt e fundit, pothuaj gjithë Tirana ka probleme serioze me furnizimin me ujë të pijshëm. Qytetarët kanë raportuar se kanë javë, madje në disa raste dhe muaj, që nuk furnizohen me ujë të pijshëm dhe shumë të tjerë shprehen se kanë pasur ujë vetëm për disa orë në ditë.

Mungesa të tejzgjatura të furnizimit me ujë janë raportuar në zona si ish-Blloku, Myslym Shyri, Dajti, Ali Demi, Komuna e Parisit, Misto Mame, Vasil Shanto, Selita dhe Selvia.

Vetë UKT e ka mohuar se problemet me furnizimin me ujë janë kaq të përhapura dhe ka pretenduar se ka mungesa vetëm në disa zona. Por këto pretendime të UKT-së janë hedhur poshtë nga denoncimet e qytetarëve nëpër media.

“Realisht nuk mund të flitet për mungesë uji, por për kufizime të pjesshme në objekte të lokalizuara të cilat janë të pozicionuara në rrjetet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, më saktë disa pallate të ndodhura në Yzberisht e Astir”ishte përgjigja e UKT-së ndaj kërkesës për informacion nga Citizens Channel.

Nisja e një padie kolektive ndaj UKT-së u njoftua në media nga avokati Dorian Matlija, i cili në një video shpjeguese sqaron se “Tirana nuk ka ujë, megjithatë dhe kur ka, ai nuk është i cilësisë së duhur, nuk është i pijshëm”.

Avokati Matlija sqaron se sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik, nga mbi 60 analiza që i duhen bërë ujit të pijshëm, në të vërtetë në Tiranë i bëhen vetëm 3, të cilat për më tepër dalin me parametra skandaloze, duke e kthyer ujin në burim infeksionesh e sëmundjesh.

Për këtë arsye, në padinë kundër UKT-së do t’i kërkohet gjykatës:

  1. Të detyrojë UKT të bëjë analiza të plota të ujit dhe të informojë rregullisht qytetarët për cilësinë e tij.
  2. Të detyrojë UKT t’i bëjë këto analiza në laboratorë seriozë e të akredituar.
  3. Të dëmshpërblejë të gjithë ata që do i bashkangjiten kësaj padie për ditët kur janë faturuar për ujë të pijshëm por ai nuk ka qenë i tillë si edhe të detyrohet të mos faturojë asnjë lek në të ardhmen nëse uji që shpërndan nuk është i pijshëm.

Kjo padi është e para padi kolektive në historinë e Shqipërisë.

Për t’ju bashkuar padisë kolektive kundër UKT-së, ju duhet të kontaktoni me Nismën Thurje dhe një prej avokatëve të saj do të lidhet me ju.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>