Qytetarët hedhin poshtë reformat e Ramës

Qytetarët hedhin poshtë reformat e Ramës

Pas mbylljes së fushatës online ku Kryeministri Rama ftonte qytetarët t’i sygjeronin tre gjëra që mund të përmirësohen në Shqipëri, kryeministri ka publikuar sot raportin përmbledhës të sugjerimeve:

“Nëse do të përzgjidhnim 5 çështje kyçe, ato do të ishin: DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM -BUJQËSI-SHËNDETËSI, të sugjeruara 5237 herë [nga qytetarët],” shkruan Zoti Rama në profilin e tij në Facebook.

Ajo që bie në sy është fakti se katër prej fushave ku qytetarët kanë kërkuar përmirësim, – administrata publike, arsimi, bujqësia dhe shëndetësia,- janë fusha ku Qeveria Rama ka ndërmarrë reforma dhe i ka reklamuar ato si të suksesshme.

Reforma në administratën publike është një ndër të parat të ndërmarra nga Qeveria Rama, e udhëhequr nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito. Me krijimin e Drejtorisë Për Administratën Publike, Ministra Harito siguroi se punësimi në administratë do të bazohej në meritokraci. Kryeministri Rama po ashtu, e ka quajtur reformën në administritatë si “angazhimin e qeverisë për të mbyllur një epokë me një administratë të diskretituar, të stërpolitizuar dhe të stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate të pavarur.”

Po ashtu, reforma në arsim, e shumëkundërshtuar nga nxënësit e studentet, për Kryeministrin Rama dhe Ministren e Arsimit Nikolla është “e suksesshme”. Sipas Zotit Rama, studentët që fitojnë të drejtën të vazhdojnë studimet universitare sipas formulës së re janë “të parët në 25 vite që fitojnë me meritokraci.”

LEXO  Turqi, 176 ushtarakë të arrestuar për lidhje me lëvizjen Gylen

Reforma në arsim, “epoka e re për meritë dhe transparencë” siç e quan Kryeministri Rama, duket se nuk ka kënaqur aspak qytetarët të cilët e vlerësojnë arsimin si një nga fushat që ka më tepër nevojë për përmirësim.

Bujqësia, gjithashtu,është një nga fushat ku Kryeministri Rama shprehet se ka sjellë “rilindjen në fshat”:

“Shumë është bërë për rilindjen e fshatit dhe kalimin nga bujqësia e mbijetesës në bujqësinë e zhvillimit e të rritjes së punësimit.”

“Shëndetësia falas” ishte një prej premtimeve më të bujshme të fushatës elektorale të Edi Ramës në 2013-në. Me ardhjen në pushtet, Ministria e Shëndetësisë, drejtuar nga Ilir Beqaj, dha me koncesion shërbimin e kontrollit të përgjithshëm shëndetësor (Check up), sterilizimin e pajisjeve mjekësore dhe hemodializën, tre ndër koncesionet më të kushtueshme të bëra ndonjëherë në Shqipëri. Pavarësisht se Zoti Rama ka shprehur gjithnjë vlerësim për punën e ish-ministrit Beqaj, duket se qytetarët nuk janë të kënaqur.

Duket se i vetmi premtim që Edi Rama bëri në këtë fushatë, atë “për vazhdimin e reformave” do duhet të shndërrohet në “rishikimin e reformave të bëra deri më tani”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>