Qytetarët kundër grabitjes së Lagunës së Karavastas

Qytetarët kundër grabitjes së Lagunës së Karavastas

Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta kundërshton ndërtimin e resortit turistik “Divjaka Albania” në parkun kombëtar të Karavastasë. Përfaqësues të shoqatave mjedisore dhe qytetarë aktiv, ditën e sotme në një deklaratë për shtyp, i bënë thirrje qeverisë të ndalojë këtë projekt të kundraligjshëm dhe shkatërrues.

Ato u shprehen se:

Resorti Divjakë Albania i propozuar nga Kompania Mabetex Group nuk është asgjë tjetër veçse një projekt tjetër ndërtimi në një Zonë të Mbrojtur.

Qeveria po i shet kompanisë private për vetëm 1 Euro, 12 km të vijës bregdetare dhe 1700 hektarë tokë në zonë të mbrojtur.

Ky është privatizim për përfitime personale e një pasurie kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe e sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964.

Ky kompleks i ri urban për nga popullsia është sa dyfishi i qytetit të Divjakës, ndërkohë që ka një shtrirje dhe ndikim shumë më të gjerë në territor. Kompania private do të ndërtojë 2,400 apartamente, 370 vila, një resort turistik prej 90 ha dhe një qytet për 18,000 banorë.

Procedura e ndjekur deri më tani nga institucionet e shtetit dhe investitorit për paraqitjen e projektit para publikut është e kundraligjshme dhe përpiqet të fshehë karakterin shkatërrues të këtij projekti.

Miratimi i këtij resorti shkel ligjet e vendit për Zonat e Mbrojtura si dhe Konventat ndërkombëtare si ajo e Ramsarit, e Bernës, e ESPOOS dhe Direktivat e Habitateve dhe të Shpendve të Bashkimit Europian.

Gjithashtu, miratimi i këtij projekti do të zhvlerësonte të gjitha nismat institucionale dhe ligjore të Qeverisë dhe Parlamentit për mbrojtjen e natyrës.

Ky projekt qartazi do të sjellë dëmtim të ekosistemit, gjallesave të egra, por edhe shkatërrim të ekonomisë lokale e sidomos asaj të peshkimit.

Koalicioni i bën thirrje politikës shqiptare dhe ekzekutivit që të gjykojnë dhe të marrin vendime duke zbatuar paketën ligjore kombëtare për mbrojtjen e natyrës, mjedisit dhe zhvillimit lokal, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me këtë qëllim. Shoqëria civile nuk do të tërhiqet nga lufta për mbrojtjen e së mirës publike nga ky shkatërrimi i parathënë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>