Prej 13 gushtit në kufirin shqiptaro-grek të Kakavijës makinat e qytetarëve po presin në rradhë kilometrike për të kaluar doganën.
Thuajse 48 orë më vonë, situata nuk është përmirësuar.
Cilat janë arsyet e krijimit të kësaj mbingarkese në kufirin me Greqinë?
Fillimisht shteti grek njoftoi më 4 gusht se të gjithë qytetarët që do të udhëtojnë drejt Greqisë pas datës 16 gusht, do të duhet të qëndrojnë një javë në karantinë përpara se të lëvizin lirisht.
Kjo duket se i ka shtyrë ata të udhëtojnë drejt shtetit grek përpara hyrjes në fuqi të këtij rregulli, për të evituar detyrimin për të qëndruar në shtëpi për 7 ditë pas mbërritjes në Greqi.
Njëkohësisht qeveria greke ka vendosur testimin e detyrueshëm të atyre që kërkojnë të kalojë kufirin, që prej datës 10 gusht.
Në pikën kufitare të Kakavijës lejohen të kalojnë qytetarët shqiptarë me dokumentacion grek ose shtetasit grek vetëm pasi t’i nënshtrohen testimit ndaj koronavirusit.
Por në pikën kufitare të Kapshticës nuk ofrohet testimi i qytetarëve nga pala greke.
Pikërisht testimi i qytetarëve po ndihmon në krijimin e rradhës së gjatë në Kakavijë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e konfirmoi këtë përmes një shënimi në Facebook ku njoftoi se i ka kërkuar autoriteteve greke përshpejtimin e kësaj procedure.
Drejtori i Përgjithshëm i Kufijve, Eduard Merkaj ka deklaruar se nga data 17 gusht pala greke do të lejojë qytetarët shqitparë me dokumentacion grek dhe shtetasit grekë, të paraqesin rezultatet e testimit të bërë në republikën e Shqipërisë.
Merkaj tregoi se në 13 gusht në pikën e Kakavijës kanë hyrë rreth 1,000 qytetarë dhe kanë dalë 2,335 të tillë. Në Kapshticë kanë hyrë 500 qytetarë dhe kanë dalë rreth 3,300 shtetas.
Ndërkohë në 14 gusht, deri në orën 15:30 në Kakavijë kanë hyrë 525 shtetas dhe kanë dalë 1,544 të tillë. Në Kapshticë kanë hyrë 460 shtetas dhe kanë dalë 3,500 të tillë.