Garancia sovrane e qeverisë për kreditë, që sipas Edi Ramës duhet të marrin bizneset për të paguar pagat dhe shpenzimet operative gjatë karantinës; lista e makinave të shtrenjta, që sipas Erion Veliajt të pasurit duhet t’i shesin për të paguar pagat e punonjësve joproduktivë; akt-marrëveshja tip e garancisë së kredisë, e publikuar nga Arben Ahmetaj, që parashikon konfiskimin e aksioneve të bizneseve që dështojnë të paguajnë kredinë e marrë me garancinë e shtetit; si dhe deklarata e Edi Ramës që të pasurit të shesin vilat dhe jahtet për të paguar punëtorët.
Këto katër shenja paralajmërojnë një stinë furtune mbi të pasurit. Pasi ata u bënë në pjesë të madhe bashkëpunëtorë të Edi Ramës dhe ndihmësve të tij Veliaj e Ahmetaj, apo bënë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj politikave ekonomike e sociale grabitqare të regjimit, erdhi edhe radha e tyre. Si provë se bashkëpunimi dhe heshtja e tyre karshi zullumit qeveritar kishte një peshë të madhe morale, radha që të pasurit të përballen me regjimin ka ardhur në momentin e tyre më të vështirë.
Ndonëse shumica absolute e tyre janë të zhytur në kredi dhe bizneset e tyre janë mbyllur apo kanë humbur pjesën dërrmuese të shitjeve gjatë karantinës së plotë, ata konsiderohen nga pushteti si pasunarë dhe nazelinj, që nuk mund të kërkojnë asnjë mbështetje nga shteti. Megjithatë, për hatër të të punësuarve të tyre, qeveria ka ofruar një garanci sovrane, që ata të marrin kredi në bankë për të paguar pagat e punonjësve të mbetur në shtëpi. Dhe një pjesë e tyre nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të mos ia prishin Ramës.
Nëse ekonomia ka marrë tatëpjetën dhe konsumi do të reduktohet ndjeshëm edhe pas përfundimit të karantinës, shëndeti financiar i këtyre bizneseve është në rrezik të madh.
Paaftësia për të paguar kreditë do t’i bëjë ato pre të planit qeveritar për të përvetësuar pronësinë e këtyre bizneseve dhe, siç duket, për të shitur asetet e tyre. Të gjithë e dimë se si i humbasin familjet dhe bizneset pronat që kanë vënë kolateral për kreditë që marrin nga bankat. Të humburit e vetëm të këtyre operacioneve janë pronarët e aseteve të konfiskuara, ndërsa të fituarit e përhershëm janë bankat dhe ata që zotërojnë para cash.
Pra, pasuritë e pronarëve dhe asetet e bizneseve do të blihen për pesë para nga ata që sot, në këtë ditë të keqe, kanë cash mënjanë.
Po kush janë këta që zotërojnë likuiditet në kohën kur bizneset janë në vështirësi të mëdha për të paguar detyrimet? Kategoria e parë përfaqësohet nga ekonomia e errët e krimit dhe trafiqeve të narkotikëve, armëve dhe pastrimit të parave. Kategoria e dytë janë politikanët e korruptuar.
Tani nis të zgjidhet enigma se kujt mund t’ia shesin vilat dhe jahtet të pasurit e këtij vendi, nëse ata vetë nuk kanë para për të paguar kreditë, pagat apo shpenzimet e përditshme të bizneseve të tyre. Është e qartë, pra, se vilat, jahtet dhe makinat luksoze të tyre do të blihen me çmime qesharake nga qeveritarët e korruptuar dhe rrjeti i organizatave kriminale dhe të trafiqeve, që është i lidhur me pushtetin. Për ta nuk mund të kishte një festival më të mirë se kolapsi i plotë i ekonomisë dhe falimentimi i biznesit të madh.
Për çdo skeptik rreth mënyrës se si do të hyjnë në kanalet e ligjshme fondet marramendëse të krimit dhe korrupsionit, Rama sapo ka bërë publik draftin për aministinë fiskale dhe penale gjithëpërfshirëse. Duke paguar një taksë të vogël mbi kapitalin, organizatat kriminale dhe pushtetarët e niveleve të larta të lidhura me to do të depozitojnë, ndoshta në muajin qershor, paranë cash që ruajnë në thasë apo në llogari bankare offshore anekënd botës. Nga shtatori, kur turizmi të mos ketë furnizuar si çdo vit ekonominë me cash, mund të përballemi edhe me vështirësitë e para financiare të biznesit.
Gjëja më e habitshme në gjithë këto zhvillime, që më shumë se për këdo janë të qarta për vetë sipërmarrësit, është mosreagimi i komunitetit të biznesit. Duke përjashtuar një letër të Kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregëtisë dhe një tjetër të Dhomës Britanike të Tregëtisë, komuniteti i biznesit është treguar përgjithësisht i mefshtë në përfaqësimin e interesave të tij. Aq më i dobët pak është qëndrimi i këtij komuniteti kur vihet përballë gjuhës agresive të drejtuesve të qeverisë ndaj tij.
Por, nëse dhomat dhe shoqatat e biznesit nuk kanë reaguar, vetë sipërmarrësit anëtarë të këtyre forumeve duhet të bëjnë presion brenda dhe jashtë tyre për të mbrojtur interesin e sipërmarrjes. Mbështetja e biznesit të madh për nisma ligjore të qeverisë për të shtrirë zbatimin e TVSH-së edhe në biznesin e vogël dy vite e gjysëm më parë është dëshmi e mjaftueshme se atyre nuk u mungon aftësia për t’u organizuar. Hezitimi për të vepruar njësoj edhe këtë herë ka vetëm një burim të mundshëm: frikën se qeveria mund të hakmerret ndaj tyre.
Kërkimi i shpëtimit individual, që duket se është shpresa e rreme që shtyn çdo sipërmarrës të heshtë në shtëpi, i shkon për shtat strategjisë së qeverisë për të mikromenaxhuar presionet dhe për t’i penguar ato të agregojnë në një qëndrim të përgjithshëm. Çdo moment kohe që pushteti fiton me kujdes e bën më të pagjasë shpëtimin e biznesit nga ky kurth. Në fund të fundit, sipërmarrësit shqiptarë mund të jenë të dënuar ta pësojnë njësoj siç e pësuan pjesa më e madhe e shqiptarëve kur të pasurit bashkëpunonin me qeverinë apo heshtnin.
Ky mund të tingëllojë një skenar i pamundshëm për çdo sipërmarrës që mendon se edhe Rama ka kufizimet e tij dhe ka nevojë për bashkëpunimin e biznesit për të menaxhuar ekonominë. Që të mbrosh këtë mendim, duhet të besosh se Rama është i interesuar të mirëmenaxhojë ekonominë dhe jo ta falimentojë atë për ta blerë lirë. Duhet të besosh edhe se ai s’ka asnjë hise në shumëfishimin e trafiqeve gjatë qeverisjes së tij. Duhet të besosh se amnistia fiskale që ai ka planifikuar është për të mirën e Shqipërisë dhe jo për të ligjëruar paranë e korrupsionit dhe trafiqeve.
Duke shpresuar se në mesin e komunitetit të biznesit ekzistojnë më shumë njerëz dyshues ndaj filozofisë së pushtetit të Edi Ramës, një lëvizje më e shpejtë nga ana e tyre është akoma e vlefshme.
Nëse nuk është në dorën e biznesit të rrëzojë një qeveri, në një kohë kur edhe opozita ka hequr dorë nga ky mision për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, është në dorën e biznesit që të refuzojë imponimin nga qeveria të mënyrës se si duhet të menaxhohen gjatë kësaj periudhe.
Vetëm duke marrë vendimet e shëndetshme dhe logjike për interesin ekonomik të sipëmarrjeve krijohen shanset që të dështojë skenari i falimentimit dhe blerjes lirë të aseteve të bizneseve dhe biznesmenëve me paranë cash të ekonomisë së errët.